1. Në shkrimin tonë të mëparshëm “Korporatizmi”, botuar në këtë gazetë, më 20 tetor 2014, detyrimi për një paraqitje historike të funksioneve të korporatës, nuk na lejoi që të shtjellonim çështjen, që atëherë dhe tani, na intereson më shumë: kushtëzimi i dyanshëm mes korporatës dhe shkencës në universitete. Atë që na u shfaq e papërshtatshme ta realizonim atëherë, do ta synojmë këtu, dhe në këtë kuptim “Shkenca” është nëntitulli për këtë shkrim, kurse titulli “Korporatizmi 2”.
2. Për këtë arsye është e domosdoshme një riparaqitje e tezës bazë të shkrimit të parë. Në zanafillë, tre funksionet kryesore të korporatës universitare patën një relacion gjenealogjik si te çdo korporatë, ku ndërmjetësimi si funksion fillestar ndolli garantimin si funksion të prejardhur dhe ky bëri të pashmangshëm vetërregullimin.
Më pas, në shoqërinë moderne, korporata universitare iu kooptua pushtetit të centralizuar si shtet-komb: për pasojë të tre funksionet tip të korporatës u morën përsipër nga shteti-komb dhe punonjësit universitarë qenë një nënkorporatë brenda korporatës së pushtetit.
3. Thënë ndryshe, ishin korporatë vetëm në aspektin e formës, pasi rrinin bashkë dhe perceptoheshin bashkë, sepse në aspektin e përmbajtjes, pra të detyrimit për të përmbushur tre funksionet tip, pushuan së qeni korporatë, përderisa këto tre funksione ishin marrë përsipër nga pushteti.
4. Mirëpo, në këtë mënyrë, u shkëput lidhja e dy funksioneve paraprijëse (ndërmjetësim dhe garantizëm) nga funksioni i tretë (vetërregullimi). Kjo shkëputje e delaicizoi korporatën universitare duke e shenjtëruar atë, përderisa vetërregullimi u zëvendësua nga mbirregullimi prej një strukture tjetër mbi korporatën, pra pushteti.
5. Që shoqëria e sotme është gjithnjë e më tepër e modalizuar prej një dispozitivi postmodern, e dëshmon ndoshta më shumë se gjithçka statusi i universiteteve: të mbetur pa ortakërinë e pushtetit, universitetet e sotme vazhdojnë inercinë e formës korporativiste të modernes. Për të dalë nga kjo inerci, u duhet medoemos të rimarrin përsipër sërish tre funksionet tip të korporatës.
6. Që do të thotë se pa hequr dorë prej këtyre funksioneve, (sepse, pra, kjo heqjedorë i komprometon përmes një shenjtërimi të rremë dhe klerikalizmi laik) korporatat universitare duhet t’i përtërijnë këto funksione në kushtet e reja, duke ruajtur thelbin e tyre gjatë kohës që modalizohen nga dispozitivi postmodern. Ndryshe thënë, gjendja e trupës universitare në raport me publikun dh pushtetin është e njëjtë edhe njëherë me gjendjen e tyre në shekujt XII-XIII, ndërkohë që gjithçka tjetër ka ndryshuar,prandaj korporatizmi universitar ka vetëm një mundësi: duhet të rithemelohet.
7. Pra në raport me pushtetin dhe publikun, ajo shfaqen si një korporatë mes të tjerave, por ndërkohë konceptet e përgjithshme (që shumë më tepër se korporatat e tjera, kushtëzojnë drejtpërdrejt korporatën universitare) për dijen, të vërtetën, shoqërinë, individin, kanë ndryshuar.
8. Nuk do të trajtojmë çfarë ka ndodhur me secilin koncepcion, por na mjafton të tregojmë për ndryshimin e koncepcionit të së vërtetës. Gjendja postmoderne nuk e pranon më natyrën objektive (metanarrative) të të vërtetës, por lejon (qysh prej perspektivizmit niçean) që ajo të ketë vetëm natyrë subjektive: asnjë e vërtetë nuk mund të jetë universale, njësoj e vlefshme, e pakushtëzuar, përherë e transmetueshme; përkundrazi: tashmë besohet se për nga natyra e saj e vërteta është e patransmetueshme, dhe thelbi i saj është idiosinkratik (ajo nuk është e personalizueshme duke ardhur nga jashtë-brenda përmes argumenteve, por që në zanafillë është personale-e brendshme), kjo e vërtetë është vërtet e vërtetë, ngaqë është e papërgjithësueshme, situative, intuitive, vetëtreguese, arbitrare.
9. Për pasojë të gjithë të vërtetat janë të pavazhdueshme te njëra-tjetra, të pahomologueshme, të pandërkëmbyeshme, ta padomosdoshme për njëra-tjetrën. Dhe çdo individ rrëmbyer nga gjendja postmoderne, do të ishte zotërues i të vërtetës i pakushtëzuar nga të tjerët, por vetëm nga perspektiva që ia ravijëzon pozicioni i vet (pozicioni si seli e autenticitetit të vet) (madje pikërisht prandaj kjo e vërtetë do të ishte e pakonkurrueshme, e papërgënjeshtrueshme).
10. Mirëpo çfarë i mban ende brenda në një shoqëri, individë me të vërteta të kithëta-të pabashkëmatshme (vetë ekzistenca e shoqërisë duket se e përgënjeshtron dispozitivin postmodern)? A është e mundshme që në këto kushte, të ketë një grup njohurish të përbashkëta, që të shërbejnë si koordinata për bashkëjetesën e individëve secili me të vërtetën e vet, që në origjinë të personalizuar-idiosinkratike–subjektive?
11. ( E sqarojmë për ta pasur parasysh deri në fund, që me njohuri dhe me të vërtetë të personalizuar kemi parasysh që e vërteta apo njohuria për çfarëdo qoftë, kundrohet që në origjinë në relacion domosdoshmërie me qenien të cilës i drejtohet kjo njohuri; e vërtetë apo njohuri e personalizueshme do të thotë që ato në origjinë duken neutrale, por bartin potencialin e një relacioni të pashmangshëm domosdoshmërie me qenien që i drejtohen; e papersonalizueshme do të thotë që njohuria apo e vërteta, fillim e fund, mbesin të pakushtëzuara nga çfarëdo relacioni me qeniet njerëzore të cilave u drejtohen).
12. Përgjigja pozitive për këto pyetje duhet të marrë në konsideratë, që ky grup njohurish të përbashkëta, nuk mund të jetë njëherazi edhe paraprakisht i personalizuar, edhe i transmetueshëm, sepse me njëkohshmërinë e këtyre dy atributeve do të shkatërronte premisën bazë të postmodernes për natyrën e të vërtetës: e personalizuar dhe e patransmetueshme njëherazi (Do ta shkatërronte, sepse një e vërtetë e personalizuar po, por edhe e patransmetueshme, do të thotë se vetëm përkohësisht – si një aksident, e vërteta do të kishte natyrë subjektive, sepse në finale ajo gjithsesi do të rifitojë natyrën e saj objektive, si një natyrë bazë, të përhershme, të pashmangshme).
13. Andaj, ky grup njohurish të përbashkëta, ka dy mundësi: ose do të jetë i transmetueshëm por jo i personalizuar (dhe as i personalizueshëm dot në një finale të mundshme); ose do të jetë i personalizueshëm por jo i transmetueshëm.
14. Në këtë pikë, jemi në zemër të tezës sonë kryesore (mbi ndryshimin e natyrës së shkencës brendapërbrenda dispozitivit postmodern) sepse këto dy mundësi tashmë janë përmbushur: grupi i njohurive të përbashkëta, të transmetueshme por jo të personalizuara, është shkenca në universitetet e sotme (dhe jo vetëm njohuria shkencore teknologjike, por edhe njohuria shkencore spekulative mbi njeriun); kurse grupi i njohurive të përbashkëta, të personalizueshme por jo të transmetueshme, është besëtytnia (thelbi i së cilës është: adaptimi i një njohurie e cila nuk kushtëzohet nga asnjë provë vërtetësie, por nga një personalizim aksidental).
15. Ne besojmë se gjithë çfarë paraqesin sot universitetet shqiptare (por jo vetëm ato) është shprehje e këtij statusi të ri të shkencës postmoderne: e transmetueshme-e papersonalizueshme. Sepse shkenca sot në universitet shfaqet në tre trajta tip:
a. si njohuri e sistemuar – koherente – korrekte (pra e transmetueshme), por që nuk bën kurrfarë ftese tek auditori për ta personalizuar.
b. si njohuri e keqsistemuar – inkoherente – abuzive (pretendon, por s’është dot e transmetueshme) dhe për pasojë jo vetëm nuk ngjall joshje, por, përkundrazi, dekurajon çdo mundësi për personalizim.
c. si njohuri sistemike, e transplantuar – adoptuar jashtë origjinës së saj të personalizuar, duke e paraqitur personalizimin si të vetëkuptueshëm – të dhënë dhe jo si një proces të përhershëm semantizimi:
16. Ja pra shkurt, sot, shkenca dhe universiteti sot përballen kështu me një kontradiktë themelore (shkaktuar nga natyra korporatiste e veprimtarisë universitare) mes funksionit ndërmjetësues dhe funksionit garantues: ndërmjetësimi i tyre te publiku përmbushet në aspektin e statusit dhe vlerës që jep kjo dije e marrë në universitet (njësoj si ndërmjetësimi i supozuar në moderne nga dija njëherazi e transmetueshme dhe e personalizueshme), kurse ky status dhe vlerë sot garantohen nga një shkencë me natyrë krejt tjetër: sistemike dhe analoge po (pra e transmetueshme) por jo e personalizueshme.
17. Kjo kontradiktë është trualli mbi ku rri sot një profesor universitar, derisa të përcaktojë (më saktë zgjedhë) ontologjinë e tij-arsyen e tij të të qenit i tillë: ose të pranojë bartjen e funksionit ndërmjetësues nga modernia, garantuar nga natyra e shkencës në moderne, pra njëherazi e transmetueshme dhe e personalizuar (e kjo do të thotë t’i përkushtohet kësaj lloj shkence); ose të rithemelojë funksionin ndërmjetësues, tashmë të garantuar tjetër lloj nga natyra e shkencës së transformuar nga dispozitivi postmodern: njohuri e transmetueshme, por jo e personalizueshme.
18. Është vetiu e qartë që nuk mund të zgjedhë alternativën e dytë, sepse ajo është një degë të cilën, herët a vonë, do të detyrohet ta presë, pavarësisht (madje pikërisht)se është ulur mbi të: duke qenë shkenca e këtillë (e transmetueshme – e papersonalizueshme) njëra prej dy mundësive të gjendjes postmoderne për të përmbushur nevojën për grup njohurie të përbashkët, mundësia tjetër-besëtytnia (e patransmetueshme, por e personalizueshme) sapo të krijojë institucionet dhe manierat e saj masive do ta bëjë të panevojshme shkencën, duke e shndërruar sistematizmin e saj në shprehi dhe arsyen njerëzore në një palestër popullore të ushtrimit të kësaj shprehie.
19. Të mos harrohet se është po ashtu tashmë e qartë se profesori universitar, më së shumti, këtu dhe gjithandej, mendjelehtësisht vetë e ka bërë zgjedhjen, ka zgjedhur alternativën e dytë, e cila paraqet dështimin dhe asgjësimin e tij.
20. Pra, nuk ka rrugë tjetër (shpëtimi dhe dinjiteti njëherazi) për të, përveç të zgjedhë alternativën e parë, që në thelb do të thotë dije pashmangshmërisht e personalizueshme, ndryshe nga skema me tre trajta e shkencës aktuale në universitete (paraqitur te paragrafi 15). Kjo alternativë ofron dy mundësi: ose t’i shpallë luftë pa kushte postmodernes, duke afishuar si detyrim të shkencës të jetë njëherazi sistemike (e transmetueshme) dhe e personalizueshme (luftë njëherazi edhe kundër shkencës së papersonalizueshme, edhe kundër besëtytnisë së patransmetueshme); ose të parashikojë një kompromis: ta paraqesë sistemizmin e saj si një idiosinkrezi, pra formalisht të shfaqet si një besëtytni (e kështu heq dorë formalisht nga transmetueshmëria, por duke mbajtur gjallë mundësinë për personalizim potencial, herët a vonë, arbitrarisht të pashmangshëm).
21. Ndër këto dy mundësi, e para është e pastër dhe e plotë, por ndoshta në kufijtë e utopisë: gjendja postmoderne, si çdo gjendje tjetër, nuk do ta ndërpresë por do të çojë deri në fund ciklin e saj. E megjithatë do t’ia vlente të provohej, po të mundej paraprakisht t’i joshje profesorët universitarë në sodisfaksionin e një kundërvënie totale ndaj shoqërisë.
22. E posaqë kjo joshje është e pamundshme, atëherë mbetet mundësia e dytë, kompromisi pa të cilin vjen dështimi: të mos sulmohet ballazi besëtytnia, por shkenca të shtiret (dinakërisht) sikur është e njëjtë me të (po s’e bëri vetë dinakërisht, thamë se do ta pësojë këtë bashkësimulim të induktuar nga vetë besëtytnia) dhe ta mbajë kështu të mjegullt e të paqartë triumfin e arbitraritetit mbi argumentin, sa më gjatë të jetë e mundshme. Ndoshta deri atëherë kur postmodernia të ketë shteruar ciklin e saj, por në këtë rast pa ia arritur asnjëherë zëvendësimit të shkencës nga besëtytnia.
23. Të paktën kështu mësimdhënia do të bëhet akti ku profesori, studenti më vete, auditori, shoqëria dhe shkenca do të takohen më në fund me njeriun si qenie (gjendjen njerëzore, kushtet njerëzore, natyrën njerëzore), pa u kompleksuar më nga fakti që ndajnë të njëjtën natyrë me të.
RUDIAN ZEKTHI
Panorama | Qershor 2015