1.
Herën e shkuar synuam më së shumti qartësinë se Kurani si formë bazë të vetën ka Leximin me Zë, ngaqë kemi bindjen se e kemi mjegulluar këtë vetëdije duke u sjellë me Kuranin pa e kuptuar sesi, sikur forma e tij bazë është Leximi pa Zë.
Kurse tani do përpiqemi të jemi po aq të qartë se çdo të thotë që (gjithmonë duke theksuar përparësinë e Leximit me Zë ndaj Leximit pa Zë) në të vërtetë për Kuranin janë thelbësore dhe të domosdoshme (të paneglizhueshme) të dyja format, edhe si Lexim me Zë, edhe si Lexim pa Zë, gjë që në mënyrë të pashmangshme na çon në pohimin edhe njëherë e të qenit të Tij, një ligjërim unik, i pangjashëm dhe i pakrahasueshëm me asnjë ligjërim tjetër.
Pra sepse nuk ka asnjë ligjërim konkret dhe as një tip ligjërimi tjetër që t’i ketë në mënyrë thelbësore njësoj aktive edhe leximin me zë edhe leximin pa zë. Kështu tekstet diturore -traktatet- pra zhanri bazë i filozofisë dhe shkencës, janë ekskluzivisht lexim pa zë (janë lexim me zë vetëm për aq sa në trajtë fragmentesh citohen); bisedat dhe fjalimet janë ekskluzivisht lexim me zë; romanet janë ekskluzivisht lexim pa zë; dhe vetëm poezia, eposi dhe drama janë në origjinë të tyre ekskluzivisht lexim me zë, por tani dy prej tyre, eposi dhe poezia, me siguri dhe duket se përfundimisht e kanë humbur natyrën e tyre dhe janë bërë parasëgjithash lexim pa zë (me përjashtim të recitimit të tyre të herëpashershëm dhe fragmentar) kurse dramat megjithëse po ashtu janë zhvendosur dukshëm tek leximi pa zë, e kanë ruajtur natyrën e tyre si lexim me zë, megjithëse recitueshmëria e tyre në realitet është sezonale dhe jo e përhershme; (kënga po ashtu është ekskluzivisht lexim me zë përsa leximi pa zë i tyre ka vetëm vlerë mnemoteknike).
Nga paraqitja e tyre kuptohet qartë ontologjia superiore e Kuranit:
1. Ai ekziston që në origjinë në të dyja format njëherazi (mos harrojmë që Muhamedi A.S. sa herë që kishte shpallje të re thërriste një shkrues (kryesisht Zejd bin Thabitin) që ta kalonte edhe në formë të shkruar që është forma që mundëson Leximin pa Zë), ndryshe nga llojet e tjera të ligjërimit që edhe nëse janë në të dyja format, njërën prej tyre e kanë të adaptuar me kalimin e kohës
2. Ai e ka organike dhe të vetvetishme aktivizimin e pandërprerë të të dyja formave, kurse llojet e tjera të ligjërimit ose kanë vetëm njërën, ose kanë me faza herë njërën herë tjetrën
3. Të qenët i Recituar dhe për pasojë, i Cituar, për Kuranin është Normë, kurse për llojet e tjera të ligjërimit është një praktikë shoqëruese (nga prej ku)
4. Kurani është i gjithi, në mënyrë të pashtershme i citueshëm, me çdo ajet, frazë, fjalë apo rrokje të Tij, ndryshe nga citueshmëria fragmentare dhe e shterueshme e llojeve të tjera të teksteve.
2.
Nga sa thamë, nga kjo qartësi e re mbi Natyrën e Formës së Kuranit, mund të kuptojmë, mund ndoshta të mbyllim llogaritë me ca çështje të hapura:
– Sesi mushrikët edhe pse thonin që Muhamedi a.s. është poet dhe Kurani poezi, po vetë e përgënjeshtronin këtë. Përse? Sepse poezia është në origjinë vetëm lexim me zë, kurse Kurani është njëherazi edhe Lexim pa Zë, madje domosdoshmërisht dhe jo në mënyrë opsionale. (Ndërkohë që kjo duhet të bëjë të reflektojmë: nëse një pjesë e madhe e muslimanëve nuk e kapin me dorë Kuranin për ta lexuar por vetëm për ta vënë në pikën më të lartë të dhomës së miqve, dhe mjaftohen me recitimin e atyre pak –apo edhe shumë – sureve të mësuara përmendësh, atëherë mushrikët do jenë gjithmonë të gatshëm ta rikthejnë (me bashkëpunimin tonë) shpifjen se Kurani është poezi (përderisa shumica e muslimanëve vetëm e recitojnë dhe nuk e njohin pothuajse fare në formën e tij si Lexim me Zë.)
– Sesi kjo anomali mes nesh, pra që shumica e muslimanëve të thjeshtë e lexojnë praktikisht vetëm me zë Fjalën e Zotit, kurse të dijshmit e muslimanëve duket se i japin përparësi Leximit pa Zë, (në kuptimin që të vërtetat e zbuluara nga Leximi Meditues pa Zë nuk i kalojnë në publik përmes lidershipit por përmes akademizmit), mund të ndreqet me korrigjimin balancues mes dy leximeve, që duhet të bëjnë të dy grupet. Nëse e bëjmë këtë Fjala e Zotit rikthehet të bëhet e rëndësishme në shoqëri; nëse s’e bëjmë këtë, të dijshmit e dijes mondane janë aty të gatshëm të thonë me bashkëpunimin tonë, që Kurani është një libër ligjesh, një kanun, produkt i kohës dhe nevojës të shoqërisë ku u shfaq dhe si i tillë s’mund të jetë i vlefshëm në kohën tonë përveçse në aspektin e dogmës dhe riteve.
-Sesi të qenët e Kuranit tërësisht i citueshëm është një mrekulli e mundësuar nga mrekullia paraprake e të qenës së Tij në të njëjtën kohë edhe lexim me zë Dhe Lexim pa Zë: vetëm një ligjërim që ekziston integralisht në të folur -i përzanuar, gëzon atributin e të qenit tërësisht i citueshëm: Leximi i përhershëm Meditues (Pa Zë) merr gjithë kohën që duhet për t’u thelluar tek fjalët e Kuranit dhe sqaron dhe zbulon (në një pasurim të vazhdueshëm) kuptimet e tij në tekst, pasurim në kuptime dhe qartësi që i kalon realitetit duke e modeluar atë, përmes Leximit me Zë. Frazat Kuranore, në këtë kuptim, janë si kode të gatshme, të formuluara që më parë, kurse realiteti që ato shpjegojnë është më i vonshëm se ato. Dhe nëse kjo citueshmëri totale s’ndodh, problem nuk është tek Kurani, por tek mosshërbimi si duhet prej atyre, zëri i të cilëve ka marrë përsipër të bartë Kuranin. Dhe këtyre u mjafton si shkak për këtë mosshërbim, pavetëdijshmëria e njëkohshme e të dyja leximeve, si e vetmja mënyrë e ekzistencës së Kuranit.
– Sesi të qenët e Kuranit në mënyrë kaq të kollajtë dhe virtuoze njëherazi në të dyja format, ndërkohë që asnjë ligjërim tjetër nuk ia del dot, është në vetvete e mjaftueshme për të shpjeguar mospërballimin e sfidës që u bën Kurani vetë atyre që nuk besojnë tek Hyjnorësia e tij, pra pamundësisë që dikush tjetër të bëjë një ligjërim të njëjtë me Kuranin: pamundësia ka të bëjë me Ekzkluzivitetin: asnjë tekst nuk mundet të arrijë këtë mënyrë të qeni: njëherazi Ligjërim -Lexim me Zë dhe Ligjërim- Lexim pa Zë.
3.
Kjo mënyrë mrekullore e formës ligjërimore të Kuranit, si ndërvepron me bartësit e përgjegjësisë për ta përcjellë atë, pra si ndërvepron me ne muslimanët? Sepse s’ka asnjë dyshim: posa që Kurani është Fjalë e Zotit jo vetëm në Përmbajtje, por edhe në Formë, mënyra sesi ai përcillet ndryshon nga mënyra sesi përcillet çdo tekst tjetër. Dhe po ashtu s’ka dyshim se mënyra sesi përcillet e ndikon dhe kushtëzon mënyrën e të qenit të përcjellësve të tij. Pra s’mund të përpiqemi ta përcjellim Fjalën e Gjallë të Zotit, duke besuar se do të jemi të pandryshueshëm, pra të njëjtët para dhe pas përcjelljes. Duke ditur se Zoti ka caktuar të jetë i perceptueshëm me shqisa prej krijesave vetëm në Ahiret, në fakt ky është një ndërveprim gati i pamendueshëm: ndërveprim dinamik i njerëzores, me të vetmen prej Cilësive të tij që Zoti e ka zbritur të jetë pandërprerë mes nesh (ende pa ardhur Ahireti), drejtpërdrejtë- pa spondë dhe filtra.
Ne mund ta ndjejmë vërtetësinë e kësaj përvoje tjetërlloj të pamundshme në Dunja, vetëm nëse përqendrohemi po aq fort dhe vërtetësisht edhe tek Forma e Kuranit, sa ç’përpiqemi të thellohemi tek Mesazhet apo Përmbajtja e tij. Dhe rruga që e mundëson këtë plotësim të përqendrimit, mesa duket është kjo: vetëdija e thellë dhe përpjekja e ndershme e buruar prej kësaj vetëdije, se Kurani është njëkohësisht Ligjërim- Lexim me Zë dhe Ligjërim-Lexim pa Zë.
Ka vetëm një rast në Dunja ku mund ta përafrojmë këtë përvojë të ndërveprimit të drejtpërdrejtë me Hyjnoren që nënkupton përcjellja- transmetimi i Kuranit. E kemi fjalën për kërkesën e Musait a.s. drejtuar Allahut, që t’i shfaqej Musait drejtpërdrejtë, ngjarje që përshkruhet tek Surja Araf, ajeti 143:
“E kur Musai erdhi në kohën që i caktuam dhe i foli Zoti i Vet, ai tha: “Zoti im! Më mundëso Pamjen Tënde të shikoj!” Ai i tha:” Ti nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko kodrën, e nëse ajo qëndron në vendin e vet, ti do të më shohësh Mua.” Kur u drejtua kah kodra, një pjesë e dritës nga Zoti i Tij e bëri kodrën thërrime e Musait i ra të fiktë. Kur erdhi në vete tha: ”E lartë është madhëria jote, pendohem te Ti dhe unë jam i pari i besimtarëve!” Kuran, 7-143.
Ky ajet shtangës, përshkruan si një rast të vetëm, si një privilegj të papërsëritur më, një përvojë analoge me përvojën e muslimanëve, kur lexojnë me zë apo pa zë, Kuranin: përvoja e perceptimit të drejtpërdrejtë (me shqisa) të Zotit: Musai i vetëm, në perceptimin shqisor të Pamjes a Dritës së Allahut, muslimanët sëbashku, në perceptimin shqisor të Fjalës së Allahut.
Jo Zërit të Tij, por Fjalës së Tij. Fjalë që për t’u përcjellë në Dunja, ka zgjedhur zërin tonë si medium, si përcjellës.
Gjëja e parë që të shtang tek ky ajet, është fakti se Zoti, e merr të mirëqenë dëshirën e Musait, nuk e qorton atë për llastim apo ekzagjerim. Natyrshmëria me të cilën kalohet nga shprehja e dëshirës, tek procedimi i përmbushjes së saj, tregon se kjo dëshirë për ta perceptuar drejtpërdrejt Zotin është një dëshirë e natyrshme, e shëndetshme për qeniet njerëzore (në kushtet kur synon madhështinë e Allahut dhe jo kushtëzimin e shehadetit); kurse tretja e kodrës dhe shokimi i Musait a.s. tregon sesi përmbushja e kontaktit të tillë të drejtpërdrejtë në Dunja, e radikalizon përvojën dhe e shpërndërron realitetin, i cili nuk mund të jetë më i njëjti.
Duket se mund të thuhet se marrëdhënia jonë me Fjalën e Zotit, kur e lexojmë pa zë, pavarësisht të lexuarit me zë dhe kur e lexojmë me zë pavarësisht të lexuarit pa zë, është si gjendja e besimit të Musait para se të shihte kodrën që barti dritën e Allahut. Dhe se marrëdhënia jonë me Kuranin kur gjatë Leximit me Zë jemi në kontakt të fortë me efektet e akumuluara të Leximit pa Zë, është si gjendja e besimit të Musait pasi pa sesi u shpërbë kodra nën peshën e dritës së Zotit. Këtë sugjeron të fiktët e Musait dhe pendimi dhe angazhimi i tij pas saj.
Kurse shpërbërja e kodrës, mund të sugjerojë sesi zëri i besimtarit që bart një kontakt të drejtpërdrejtë me Hyjnoren është po ashtu bartës i këtij kontakti të drejtpërdrejtë me Hyjnoren, ky zë pasi e ka prekur me të vërtetë Fjala a Zotit, nuk mund të bëjë tjetër përveçse të bartë në mënyrë përfundimtare dhe të pakthyeshme shenjën e këtij kontakti.
Rudian Zekthi