“Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet” (Surja Kaf:16)
“Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është i pavarur prej jush. Megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju nëse e falënderoni” (Surja el-Zumer:7)
I.
Karakterisitikë e gjendjes së idhujtarëve është njohja e Zotit dhe përpjekja me çdo kusht për të mbajtur kontakt me Të, por pa u përfshirë në detyrimin për ta njohur Zotin në Qenien e tij. Në këtë kuptim gjendja e të qenit në kontakt me dikë, nuk është një gjendje e përafërt apo e ndërmjetme në raport me gjendjen e të qenit në komunikim, por është një gjendje e përkundërt, pasi kontakti përdoret si iluzion i komunikimit apo maskim i moskomunikimit.
Ndërkohë dallimi kryesor mes të qenit në kontakt dhe të qenit në komunikim ka të bëjë me faktin që kontakti e parashkruan komunikimin si një praktikë minimaliste, aq pak komunikim saç mjafton për të mos humbur lidhjen mes palëve, sa për të dëshmuar gatishmërinë që nuk synon ta braktisë a ta humbasë këtë marrëdhënie.
Ndryshethënë, gjendja e kontaktit nuk ka nevojë për konkretësi permanente, pra për komunikim të drejtpërdrejtë të përhershëm, sepse më së shumti kontakti zhvillohet si realitet psikologjik pra si e folur me vete që do të thotë garantim i mundësisë për të folur me tjetrin brenda vetes edhe pa praninë e tij të drejtpërdrejtë (në këtë rast: pa e ditur se çfarë thotë tjetri, pra jo si dialog por si monolog). Kurse komunikimi, në të kundërt, përsa është i tillë, nuk është realitet psikologjik por faktik – konkret – i drejtpërdrejtë, ndryshethënë i pandërprerë dhe i mbivendosur si gjendje e përhershme ndaj realitetit, ky i fundit po ashtu i përhershëm brendapërbrenda përvojave njerëzore.
Komunikimi, ndryshe prej kontaktit, nuk mund të zhvillohet si bisedë e imagjinuar, por si kontakt imediat i drejtpërdrejtë me dikë medoemos të pranishëm.
Sepse biseda nuk mund të jetë asnjëherë veprim vetmitar, pra edhe kur njeriu flet me veten, kjo bëhet e mundshme se njeriu ka aftësinë të përfytyrojë ekzistencën e një dëgjuesi – publiku me natyrë ideale, që i cili ky përfytyrim dhe i cili ky publik ia bëjnë të pamundshme të flasë edha pa qenë askush i pranishëm drejtpërdrejtë.
Tani, duke qenë universale kjo aftësi përfytyruese e Dikujt të Pranishëm Brenda Njeriut, s’ka dyshim se Ky është Krijuesi i Njeriut, siç dëshmohet në Suren Kaf “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë se ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.” Në fakt, askush tjetër përveç Zotit – Krijuesit. Kjo do të thotë se në thelb Të folurit me Zotin për krijesat është përherë Komunikim dhe asnjëherë kontakt (është aspirata e krijesave idhujtarë të mos komunikojnë por thjesht të jenë në kontakt me Zotin, por kjo aspiratë mundësohet vetëm si iluzion: edhe sikur mos duan, edhe sikur mos e dinë, me Zotin janë duke folur edhe kur janë duke folur me vete).
Pra gjendja e kontaktit si të folur me të papranishmit edhe pa praninë e tyre të drejtpërdrejtë, në fakt mundësohet nga Prania e Zotit Brenda Secilit, nuk ka rëndësi e di apo s’e di, e pranon apo s’e pranon kushdo këtë Prani. E për pasojë njeriu është gjithmonë në komunikim, dhe të qenët në të folurin kontaktues dhe jo në të folurin komunikues, është i mundshëm vetëm në raport me të ngjashmit, dhe asnjëherë në raport me Krijuesin Hyjnor. Prandaj aspirata e idhujtarëve për të qenë në kontakt dhe jo në komunikim me Zotin, është një sforcim denatyrues kolosal që siç kemi thënë tashmë, mund të shpjegohet si një sforco e mundësuar vetëm nga mosmirënjohja si kryepasion.
II.
Dhe nga kjo mund të deduktojmë si një fakt historik, që gjendja e kontaktit me hyjnoren është gjendje e dhënë e të gjitha shoqërive njerëzore dhe për pasojë e gjithsekujt brenda tyre, pasiqë si rregull njerëzit nisen nga pranimi i pranisë së hyjnores, pra nga sensi i të qenit në kontakt me të, e tjetër gjë është nëse pas kësaj e ndjejnë mungesën e komunikimit dhe synojnë ta mbërrijnë atë, apo në të kundërt jo.
Kështu kur Muhamedi a.s. largohej nga qyteti e veçohej prej njerëzve duke u strehuar për ditë të tëra në shpellën Hira, reflektonte me këtë veprim pamjaftueshmërinë e kontaktit me hyjnoren dhe nevojën (edhe pse ende të paqartë), të fortë dhe të pabraktisshme, për të komunikuar me Hyjnoren. Pra Muhamedi a.s. e kishte kapërcyer rëndomtësinë e një marrëdhënjeje në këtë përpjekje, e vetmja siguri e tij ishte që idhujt në Qabe, nuk ishin zota, as nuk kishin natyrë hyjnore, dhe nuk sillnin as dëm as dobi. Mund të themi në analogji me historinë e Ibrahimit a.s. me trupat qiellorë, se Muhamedi a.s. në shpellën Hira, e dinte sesi Zoti nuk mund të ishte, por nuk e dinte ende sesi Ai ishte.
Dhe kur më në fund aspirata e tij u përmbush, me shfaqjen e Xhibrilit a.s. dhe me zbritjen e ajetit “Ikra bismi Rabike el-ledhi halak”, ne e dimë po nga dëshmia e tij e ndershme, që ai u tremb, praktikisht u terrorizua nga këto shfaqje të paparalajmëruara të së panjohshmes.
Në fakt shpjegimi për këtë përjetim shokues ka të bëjë me faktin se Muhamedi a.s. ende në atë moment nuk e kishte ditur diferencën mes Kontaktit dhe Komunikimit, që parasëgjithash është që kontakti përmbushet edhe pa praninë e drejtpërdrejtë – fizike (konkrete) të palës tjetër, kurse komunikimi përkundrazi përmbushet vetëm kur të dyja palët janë në kohë reale të pranishëm drejtpërdrejt mes vetes. Duke mos e ditur ende këtë diferencë Muhamedi a.s. nuk kishte sesi ta dinte se kapërcimi i banalitetit të Gjendjes së Kontaktit si relacion me Hyjnoren, në thelb donte të thoshte se Gjendja e Kërkimit ishte thjesht një etapë kalimtare – e ndërmjetme drejt një kulminacioni siç është Gjendja e Komunikimit, e cila kjo e fundit zhvillohet vetëm si Prani e Drejtpërdrejtë e Tjetrit, prani pra konkrete – materiale, më e fortë se çfarëdo realiteti psikologjik.
Dhe Muhamedi a.s. hyn në Gjendjen e Komunikimit, përmes përvojës së frikshme të shfaqjes së Gjësë nga Asgjëja, pra të shfaqjes së beftë me pamje njerëzore të Xhibrilit a.s., por edhe të shpalljes së beftë të Fjalëve Hyjnore të materializuara nga Zëri i Xhibrilit a.s.
Më shumë se konkretësia – drejtpërdrejtësia e Xhibrilit a.s., (që mund të sublimohej pikërisht nga forma njerëzore që ai kishte marrë atë moment) ajo që e frikësoi Muhamedin a.s., ishte konkretësia – materialiteti – drejtpërdrejtësia e Të folurit Hyjnor (në këtë rast, ajeteve të para të Sures Alak).
III.
Pra përvoja e re ku Muhamedi a.s. u përfshi qe shokuese për të sepse ai nuk e dinte ende se nëse Zoti do të mjaftohej në raport me njerëzit vetëm me Praninë e Tij tek secili, më intensive se damari i qafës, (është kjo Prani e Përhershme që u mundëson pavetëdijshmërisht krijesave Komunikimin me Krijuesin), atëherë Ai Vetë nuk do të ishte i përfshirë në Komunikim (kjo s’është absolute, sepse për Zotin nuk ka pengesa apo pamundësi, pra nëse nuk do të përdorte fjalët Zoti do të komunikonte me kode simbolike të ngjashme përmes ëndrrave apo komunikimit telepatik). Dhe nëse Ai nuk do t’u drejtohej Krijesave të Tij me Profetë dhe Libra, njerëzit do të kishin të drejtë që prej imazhit të pranisë së përhershme të heshtur të Zotit brenda njerëzve (gjithmonë sipas dëshmisë së ajetit 16 të Sures Kaf, të projektonin jashtë vetes si përfaqësime hyjnore, idhujt e heshtur siç dëshmon tradita masive e idhujtarisë.
Por njerëzit janë të privuar nga kjo e drejtë (në fakt nga kjo alibi) pasi Zoti ka zbritur Profetë (Muhamedi a.s. më i madhi i tyre) dhe Libra (Kurani i Vetmi ende mes njerëzve), pra ka plotësuar Fisnikërinë e Tij ndaj nesh duke na folur me fjalë konkrete – të drejtpërdrejta – për çdo herë të materializueshme përmes zërit të krijesave të Tij, parasëgjithash zërit të besimtarëve (siç e kemi treguar tek “Leximi me Zë”). (Në të vërtetë Të folurit Autentik i Zotit, nuk është e vetmja mundësi për privimin nga alibia të idhujtarëve; të folurit imediat po, është kusht i detyrueshëm, pra edhe nëse nuk është drejtpërdrejt Fjala e Zotit, mjafton të jetë Mesazhi i Tij i transmetuar si Kuptim Autentik nga një profet me fjalët njerëzore të këtij profeti, por medoemos në kohë reale, pra kur janë duke ndodhur gjërat që preokupojnë njerëzit. Fakti që Kurani është Fjalë Autentike e Zotit, ishte i pashmangshëm ndërlidhur me faktin që pas Profetit Muhamed a.s., nuk kishte më profetë të tjerë, pra pa të cilët, imediatizmi i komunikimit me Zotin do të ishte i pamundshëm, në mos me Anë Të Fjalës Autentike Të përjetshme Të Zoti, të zbritur përfundimisht mes njerëzve.).
Duke mos e ditur që ishte profet (megjithëse e dinte ç’është një profet) dhe aq më tepër duke mos e ditur që ishte Profeti i Fundit, Muhamedi a.s. u shokua kur u përball me kushtëzimin që Zoti i kishte vënë Vetes për reciprocitet me krijesat e Veta, duke i zbritur Fjalët e Veta Të Renditura në Një Strukturë të Përhershme të Pandryshueshme që e bënte Praninë Hyjnore të Tyre të perceptueshme në kohë reale nga krijesat e Tij (me të njëjtin materialitet si fjalët e njerëzve, pra përmes Zërit dhe Shkrimit dhe me të njëjtin kod, me kodin e njerëzve, përmes gramatikës së arabishtes.
E quajtëm reciprocitet sepse Zoti zgjodhi të komunikojë me Njerëzit, në të njëjtën mënyrë siç njerëzit komunikojnë me njëri – tjetrin, përmes mesazheve të formuluara në kohë reale. Sepse Fjalët e Zotit në Kuran vërtet janë formuluar njëherë e mirë Tek Ai vetë, por të përzanuara në kohë reale mes krijesave të Tij prej krijesave veta, procedojnë si Ligjërim Imediat i Tij. Kjo është rëndësia që i ka dhënë Allahu njeriut, ja ka dhënë Fjalën e Vet në Disponim që njerëzit ta shqiptojnë dhe përzanojnë sipas vullnetit të tyre, për mirë apo për keq, me respekt apo pa respekt, me vërtetësi apo me hipokrizi, njësoj siç janë të lirë të shqiptojnë dhe përzanojnë fjalët e veta.
IV.
Sepse Komunikimi është në thelb reciprocitet (në të kundërt me Kontaktimin që është në thelb i njëanshëm, i pandërkushtëzuar e praktikisht një gjendje autike), pra është;
-shkëmbim mesazhesh në mënyrë të pavarur,
-në kohë reale
-me të njëjtin rend shprehjeje (me të njëjtin materialitet shenjash dhe shenjuesish).
Kur njerëzit komunikojnë mes tyre, s’kanë asnjë zgjedhje: ligjërimi i tyre i nënshtrohet këtyre tre kushteve, sepse secili prej tyre supozohet të jetë i lirë dhe i pashtrënguar në formulimin e mesazheve të veta (nëse s’ndodh kështu është një anomali dhe gjithsesi mjafton që të mos jetë më komunikim; sepse kjo pavarësi mund të jetë më e mundshme nëse ligjërimi formulohet përmes filtrave dhe pauzave që e pezullojnë kontekstin, por në thelb testin e vërtetësisë e kalon vetëm nëse përmbushet imediatisht – në kohë reale; sigurisht kjo e fundit s’ka nevojë për shpjegim se është e vetëkuptueshme mes njerëzve homogjenia materiale e shenjave dhe shënjuesve.
Dhe mrekullia e Komunikimit të Zotit me njerëzit (që është në thelb edhe mrekullia e dinjitetit të njeriut) qëndron tek fakti që Zoti megjithëse nuk ka asnjë kushtëzim në komunikim prej Qenies së Vet (dhe mund të komunikonte me njerëzit edhe duke e tejkaluar reciprocitetin), ka pranuar reciprocitetin, duke dëshmuar me këtë pavarësinë e njeriut kur komunikon dhe vepron, procedimin finalizues të kësaj pavarësie dhe të drejtën për të qenë i pajisur në mënyrë adekuate.
Dhe dëshmi e këtij reciprociteti të pranuar nga Zoti në përshtatje me pretendimet e njerëzve;
– është fakti që Ligjërimi Kuranor u zbrit paralelisht me ligjërimet e detraktuesve të Tij, të cilët ligjërime po ashtu qenë të pavarura nga Pesha Absolute e Fjalës së Zotit (aq më tepër ndodh kështu pasi Zbritja e Dytë e Kuranit përfundoi, pra me njerëzimin pas Muhamedit a.s.)
– është fakti që përveç se kur e lexojnë apo recitojnë Kuranin mekanikisht, besimtarët e përzanojnë atë si ligjërim të radhës me kohën e vet të domosdoshme për t’u formuluar, prej të cilës kohë nuk mund të heqë dorë se mos ndonjë ligjërim tjetër është më akut (kjo ndodh gjatë namazeve dhe kjo ndodh kur ia dilet aktualizimi i Kuranit si Zbritje e Tretë, siç kemi thënë tek “Esbabi i Ebu Bekrit”)
– është fakti që në të treja mënyrat sesi u realizua Vahji, pas perdes (natën e Israsë dhe Miraxhit), përmes Xhibrilit a.s. apo përmes Frymëzimit (të paraprirë nga tringëllimë zileje) dy të parat janë me fjalë të përzanuara, kurse e treta që transmetohet se ishte e vështirë dhe e mundonte Muhamedin a.s., ky mundim i shoqëruar me djersitje dhe frymëmarrje të shpejtuar, që do të thotë se ishte me fjalë të depozituara drejtpërdrejt si të tilla, materialisht si fjalë pra, drejtpërdrejt në kujtesën e Muhamedit a.s.
V.
Në fakt reciprociteti si thelbi i komunikimt njerëzor që respektohet edhe nga Allahu si krijuesi i njerëzve kur ai komunikon me to, nuk është një përjashtim, sepse duket se zbatohet edhe jashtë procesit të komunikimit.
Në Suren Zumer, ajeti i shtatë, Allahu thotë: “Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është i pavarur prej jush. Megjithatë, ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju nëse e falënderoni… .” Ky ajet duket se dëshmon reciprocitetin si favor prej Zotit, në marrëdhëniet e njeriut me Zotin. Pra me siguri që njerëzit nuk mund ta kushtëzojnë në asgjë krijuesin e tyre, as nuk e cenojnë dhe as nuk e dobësojnë dhe as nuk e dëmtojnë, çfarëdo të bëjnë a mos bëjnë, siç thuhet në frazën e parë të këtij ajeti. Por fraza e dytë, nënkupton se edhe njerëzit janë në mënyrën e tyre të pavarur nga Zoti, jo në kuptimin që mund të bëjnë gjëra që Ai nuk i di apo nuk i ka caktuar t’i bëjnë apo që nuk mund t’i parandalojë nëse do të donte, por në kuptimin që edhe pse me sjelljen e tyre mund të mos e kënaqin Allahun, Ai i lejon të jenë të pavarur t’i asociohen kënaqësisë, por sidomos pakënaqësisë së tij.
Ky reciprocitet e bën dinjitetin e njeriut si qenie karakteristikën e tij kryesore sepse vjen drejtpërdrejt nga Allahu, si favor i Allahut që të jetë e bashkëlidhur sjellja e njeriut me Të Qenët e Allahut. Ky dinjitet është i pashkatërrueshëm çfarëdo që njeriu të bëjë për të poshtëruar veten, provë për këtë është dënimi i përjetshëm në zjarr për mosbesimtarët. Ky dinjitet i prejardhur prej reciprocitetit në komunikim, në rapot me Kuranin, po ashtu duhet të jetë i mjaftueshëm si shpërblim, që kur Ta Flasim Kuranin, pra Ta Përzanojmë atë, ta ndjejmë sesi Fjalët e Zotit e kanë jo vetëm të drejtën por edhe mundësinë të na privojnë nga të gjitha fjalët tona (çdo marrëdhënie tjetër nga kjo me Fjalën e Zotit s’shpreh tjetër veç dobësinë tonë dhe shpërdorimin e privilegjit të reciprocitetit).
Rudian Zekthi