1.
Në muajin sheval, një dite të shtunë, në vitin e tretë të Hixhrit (një vit e një muaj pas Betejës së Bedrit), ndodh Beteja e Uhudit, midis muslimanëve në Medine dhe idhujtarëve mekas.
Për këtë betejë kanë zbritur më shumë se 40 ajete, që gjenden në gjysmën e dytë të Sures Ali Imran, (duke filluar që prej ajetit 121 i kësaj sureje), dhe e grupuar në dy blloqe të mëdha: ajetet 121 – 129 dhe ajetet 137 – 175. Megjithëse Fjala e Allahut në këto ajete shfaqet si komunikim i drejtpërdrejtë me Muhamedin a.s. dhe me besimtarët që luftuan, komunikim gjatë të cilit Allahu u tregon atyre kuptimin e asaj që kishte ndodhur, për këdo që e njeh atë Betejë dhe rrjedhën e saj, mund të vërejë se këto ajete mund të lexohen edhe si një kronikë lufte, apo kronikë e asaj që ndodhi.
Në të vërtetë, përmendja e momenteve të njëpasnjëshme të betejës, shërbejnë si një lloj strukture për të organizuar pohimet vërtetuese të Zotit për këtë ngjarje. Më poshtë po paraqesim si në tabelë, edhe momentet më të rëndësishme të asaj beteje, të cilat përmenden drejtpërdrejtë në këtë sure, edhe Ato Pohime të Allahut të cilë bartin një natyrë të fortë ligjore apo universalizuese.
– Caktimi i vendeve të luftimit nga Muhamedi a.s.,në mëngjesin e asaj dite dhe frika e dy prej fiseve të muslimanëve, të cilët përpak desh u kthyen mbrapsht. Ajetet 121- 122.
– Qortimi i Allahut ndaj Muhamedit a.s., kur pasi u plagos tha se Allahu nuk e shpëton një popull që gjakos Profetin e vet. Ajeti 129.
– Plagosja e Profetit Muhamed a.s. ajeti 144.
– Thyerja e urdhrit të Muhamedit a.s prej shigjetarëve dhe ngarendja e tyre drejt plaçkës së luftës. ajetet 152 – 153.
– Gjumi përtëritës i besimtarëve dhe ankimet e munafikëve. Ajeti 154.
– Braktisja e frontit në panik, nga një pjesë e besimtarëve. Ajeti 155.
– Dezertimi i 300 munafikëve me në krye Abdullah Ubeje bin Selulin, që pa filluar ende beteja. Ajetet 166- 167.
– Ekspedita fill pas betejës,në Hamra- el Esed, në ndjekje të ushtrisë së idhujtarëve, që po kthehej në Mekë. Ajetet 173- 175.
2.
Kurse në vijim tabela e pohimeve universalizuese:
– Zoti u jep besimtarëve fitoren në luftë, për t’i qetësuar zemrat e tyre dhe për të shkatërruar dhe poshtëruar armiqtë e tyre. Ajetet 125 – 127.
-Besimtarët nuk ka pse dobësohen dhe ligështohen, sepse nëse janë të vërtetë në besimin e tyre, nuk ka dyshim se ata qëndrojnë më lart se çdo grup tjetër. Ajetet 137 – 139.
– Këmbimi i fitoreve me humbjet është një prej ligjeve të Allahut në marrëdhëniet mes grupeve në armiqësi. Ajeti 140.
– Ky këmbim është mekanizëm testues për vërtetësinë e besimit të besimtarëve dhe mundësi që Zoti t’i begatojë një numër të muslimanëve me të qenët shehid, duke i bëër ata kështu të nderuar dhe duke i shpëtuar nga jeta e varrit. Ajeti 140.
– Xheneti nuk fitohet pa luftë, pa durim dhe pa sakrificë. Ajeti 142.
– Vdekja e një Profeti është e pashmanghme dhe si e tillë nuk duhet t’i largojë besimtarët nga detyrimi për ta vazhduar thirrjen e tij (shih “Esbabi i Ebu Bekrit) ajeti 144.
– Zoti do t’u japë njerëzve atë që aspirojnë: kush aspiron Ahiretin, Zoti do ia japë, dhe kush aspiron Dunjanë, Zoti do ua japë atë. Ajeti 145.
– Ndërsa për ata që luftojnë pa u ankuar në Rrugën e Zotit, Zoti do t’u japë edhe Dunjanë edhe Ahiretin. Ajetet 146 – 148.
– Nëse muslimanët i dalin për zot fesë, atëherë si rregull, në zemrat e armiqve të fesë Zoti vendos frikë. Ajeti 151.
-Shmangja nga betejat nuk i shpëton njerëzit nga vdekja. Ajeti 154.
– Zhgënjimi nga kaderi është veti e mosbesimtarëve dhe jo e muslimanëve. Ajeti 156.
– Sjellja e butë, joimponuese, është sjellja më e mirë, nuk ka me se zëvendësohet. Ajeti 159.
– Konsultimi është vaxhib dhe jo sunet (shih “Konsulta”). Ajeti 159.
– Vendosmëria dhe stoicizmi në ndjekjen e vendimeve të konsultës, janë vaxhib dhe jo sunet, pavarësisht rezultateve. Ajeti 159.
– Mospasja frikë prej njerëzve, vjen nga pasja frikë Allahun. Ajeti 175.
3.
Njohja qoftë edhe në linja të përgjithshme e historisë së Betejës së Uhudit, na e paraqet si një histori e tradhtive dhe dobësive, të cilat tradhti dhe dobësi shfokusojnë tërësinë e asaj që ndodhi duke zbehur vlerën e shembujve të panumërt të qëndrueshmërisë, sakrificës dhe heroizmit.
Sepse në të vërtetë, tradhëtia e hipokritëve, lakmia e shigjetarëve dhe dobësia e një pjese të mirë të besimtarëve, mjaftojnë për t’i shpjeguar, për t’i bërë të analizueshme humbjet e muslimanëve në këtë betejë. Por ndoshta më e vlefshme se kjo është që faktin e këtyre humbjeve t’ua bashkangjitim shkaqeve të përmendura (dezertimi, thyerja e urdhrave, paniku në front) dhe të gjithë këto fakte t’i shohim si shenjë e të njëjtit rend, për një kuptim edhe më të madh sesa shpjegimi i humbjes.
Duam të themi se duke u përqendruar tek paraqitja në Kuran e Betejës së Uhudit (plotësuar edhe me çka dimë për këtë betejë nga Sira Profetike), duam të nxjerrim në pah një fakt të jashtëzakonshëm: jo vetëm faljen nga ana e Allahut për besimtarët që u bënë sebep që beteja të mos fitohej, por edhe mosqortimin e tyre nga Profeti a.s. dhe madje mosshqiptimi i asnjë ankese ndaj tyre. Duke bërë që e paraqitur prej Allahut, kjo betejë të mos jetë më historia e tradhëtive dhe dobësive, por historia e domosdoshmërive dhe dobive.
(Para se të formulojmë tezën tonë kryesore këtu, po sjellim për të plotësuar kuadrin, një hadith që ofron esbabi nuzul, për ajetet 169 – 171: “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo ata janë të gjallë duke u ushqyer tek Zoti i tyre. Janë të gëzuar për çfarë i ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohen edhe për ata që nuk u janë bashkuar dhe kanë ngelur pas tyre, sepse nuk do të frikësohen dhe nuk do të pikëllohen. Ata gëzohen me dhuntitë dhe me mirësinë e Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.”
Hadithi i vërtetuar nga Bejhekiu, thotë se kur Abdullah ibn Amr ibn Harami, njëri prej shehidëve të Uhudit, shkoi drejtpërdrejt në Xhenet, Allahu flet me të dhe i thotë nëse kërkon gjë tjetër prej Zotit. Në fillim Abdullahu i thotë që të kthehet edhe njëherë në Dunja që të vritet sërish si shehid, e kur Zoti i thotë se e ka ndaluar për çdo krijesë rikthimin në Dunja, atëherë Abdullahu thotë se do të donte shumë që njerëzit e tij ta dinin sa i lumtur ishte ai në xhenet, dhe Zoti për t’ia plotësuar këtë dëshirë zbret këto ajete. Të vihet re sa e jashtëzakonshme: një zinxhir i pakëputur komunikimi mes Allahut dhe besimtarëve, në kohë reale dhe thelbësor, që lidh të gjallët dhe të vdekurit me Zotin e tyre dhe të gjallët e të vdekurit mes vetes (çka e kemi thënë edhe njëherë tjetër tek “Reciprociteti”). I gjithë rrëfimi i historisë së Uhudit në Kuran dëshmon mbi gjithçka këtë: komunikimin e pandërprerë të Zotit me besimtarët. Që do të thotë se nëse i përgjigjen këtij komunikimi me të njëjtin intensitet, muslimanët janë të paqortueshëm dhe të falur apriori prej Zotit të tyre).
Kështu, duke i marrë në konsideratë të gjitha, duket e pashmangshme të mos arrijmë në përfundimin se nëse besimtarët janë tërësisht të vërtetë me Krijuesin e tyre (që do të thotë nëse janë gjatë gjithë kohës në komunikim me Të), atëherë humbja si e tillë nuk ekziston,është një realiteti pamundshëm apo term i pakuptimtë, sepse është veçse një moment i destinuar të kalojë, përmes mundësisë që kanë besimtarët nga lidhja e përhershme me Krijuesin e shtatë qiejve dhe tokave, që të përmirësohen, të zbulojnë mundësitë e tyre të reja (deri në atë moment të fjetura), të zbulojnë limitet e armiqve (deri atëherë të fshehura), të zbulojnë ligjet e Allahut (që nuk ndryshojnë) (deri atëherë të pagjetura).
Ndryshethënë: nuk ka situata të padëshirueshme, por ka sjellje të padëshirueshme; dhe për besimtarët në raport me pabesimtarët, nuk mund të ketë qëllime të paarritshme, sepse nëse ka do të thotë pavetëdije për komunikimin e përhershëm me Zotin.
Dhe ky ligj, nuk është abstrakt, por i bartur nga një mori sjelljesh dhe shembujsh:
– Muhamedi a.s. nuk e thyen kërkesën e besimtarëve për të dalë nga qyteti, e edhe pse rezultoi e gabuar nuk i qortoi e nuk u ankua, por edhe më: pikërisht pavarësisht rezultatit të munguar Zoti ia bën konsultën detyrim (sepse ajo është kusht që muslimanët të zhvillohen dhe përmirësohen pavarësisht luhatjeve që janë ligj i Zotit).
– Muhamedi a.s. nuk luhatet nga dezertimi 300 vetëve me Abdullah Ubeje bin Selulin dhe as nuk i fajëson ata formalisht më pas: sepse të dalë sheshit pabesia me çmim të paguar menjëherë do të thotë pastrim tjetërlloj i paarritshëm (pastrim që është kusht për vërtetësi brendapërbrenda besimtarëve dhe po ashtu prapë kusht që muslimanët të zhvillohen dhe përmirësohen).
– Muhamedi a.s. plagoset dhe në fakt për besimtarët u dit i vdekur: përgënjeshtrimi i këtij lajmi ishte për muslimanët zgjerim i përvojës së tyre deri në pikën për të përfytyruar se misioni i Muhamedit a.s. mund të ishte edhe i tyre, e për pasojë përfytyrimi i kësaj përgjegjësie ishte një kusht tjetër i përmbushur që muslimanët prej asaj beteje, të dilnin paradoksalisht me mundësi të ripërtërira për t’u zhvilluar dhe përmirësuar.
– Muhamedi a.s. me një grup vullnetarësh prej luftëtarëve të Uhudit (mes tyre edhe të plagosur), ditën pas betejës ndjek nga pas ushtrinë e idhujtarëve dhe qëndron tre ditë pranë vendfushimit të tyre. Megjithëse u vunë në dijen për këtë, mushrikët patën frikë t’i sulmonin dhe qenë ata të parët që iu larguan mundësisë për një betejë tjetër. Ky kërkim i menjëhershëm i revanshit, nuk është normal: nuk i përket një ushtrie thjesht të mundur, por një ushtrie të çoroditur, pjesëtarët e të cilës kishin dëshmuar mungesë disipline, kishin rrezikuar seriozisht jetën e komandantit të tyre dhe kishin provuar çdo të thotë panik; ripërtëritja për një ditë i një ushtrie të tillë, rimarrja e vetes brenda ditës, mjafton për të dëshmuar se nëse besimtarët e rikthejnë marrëdhënien e vërtetë me Krijuesin e tyre, atëherëdobësia e dëshmuar kthehet në një limit të kapërcyer.
4.
– (në kërkim të Uhudit) –
Në dy prej ajeteve të përmendura prej nesh më lart Allahu thotë (për luftën në Bedër): “ Allahu e bëri këtë që t’ju sjellë lajmin e gëzuar dhe t’ju qetësojë zemrat. Vërtet fitorja është vetëm nga Allahu, I Plotfuqishmi, I Urti. Që të shkatërrojë një pjesë të atyre që nuk besuan, apo t’i turpërojë, e kështu të kthehen të humbur.” 126- 127; (dhe për luftën në Uhud) : “Dhe kështu Allahu i dëlir besimtarët dhe i shuan jobesimtarët.” 141. Në të dyja rastet kemi ndërthurjen mes qëllimeve devocionale dhe qëllimeve gjeopolitike me implikimin e qartë se qëllimet në rendin mondan të fuqisë, nuk mund të arrihen pa intensitet në komunikimin me Zotin, i cili ky i fundit nuk mund të mbërrihet duke neglizhuar përfshirjen me mënyrën sesi mundësohet dhe shpërndahet fuqia në botë.
Çfarë sapo thamë dhe gjithë sa kemi thënë deri këtu, na lejon të besojmë se brenda ligjit të Allahut që e ndërron fitoren me humbje dhe humbjen me fitore, Uhudi është i pashmangshëm: jo në kuptimin se mund të qëllojë të mos përfundojë me humbje, por i pashmangshëm pikërisht si humbje. Vetëm pasi humbja ndodh besimtarët kanë mundësi ta njohin këtë ligj të Zotit, e po ashtu kanë mundësi të përfytyrojnë sesa energji kanë lënë të pashfrytëzuara – të fjetura deri në atë moment, e të binden sesa shumë më tepër gjëra mund të bëjnë së bashku deri sesa në atë moment; (e njëherazi sesa siguri dhe vetëbesim të rremë i kanë lejuar kundërshtarëve deri në atë moment) dhe pra ta ndjejnë të gjallë, se me sa pak intensitet i janë përgjigjur përfshirjes në një komunikim të përhershëm me Zotin e tyre.
Zoti përmend si ligj se lufta bëhet për dy qëllime: të pastrojë dhe përmirësojë besimtarët dhe të zhbëjë fuqinë e pabesimtarëve
Për të gjitha këto, besimtarët apo grupet e tyre, në të gjitha kohët dhe vendet, duhet të jenë në kërkim të Uhudit të tyre pas çdo fitoreje fillestare apo pas çdo statusi të mbërritur: vetëm kështu do të kenë mundësi ta vërejnë në kohë reale, se epërsitë e kundërshtarëve janë në përpjesëtim të zhdrejtë me cilësitë e besimtarëve (pra sa më shumë këto të fundit të eksplorohen dhe zbulohen aq më tepër epërsitë e armiqve zbehen e zhbëhen) ( e njëjta mund të qëllojë të ndodhë edhe si efekt psikologjik, por për besimtarët ndodh përherë si ndërhyrje e drejtpërdrejt e Zotit në kontestin mes tyre dhe mohuesve). (Mos harrojmë se në Bedër, ku dobësia e besimtarëve ishte e dhënë, ishte pjesë e gjendjes së tyre fillestare, Allahu i ndihmoi me një ushtri engjëjsh, kurse në Uhud ku dobësia e tyre qe e prejardhur, e përftuar prej atyre vetë, nuk u ndihmuan me engjëj: ndihma e Zotit ndaj besimtarëve nuk bëhet duke e shpërfillur faktin që edhe mohuesit janë krijesa të Të Njëjtit Zot.)
E sa më shpejt besimtarët ta konsumojnë Uhudin e tyre, aq më shpejt kanë mundësi të shpëtojnë prej dobësive të tyre. Sepse kështu kanë mundës që në raport me ligjin e ndërrimit mes tyre të fitoreve dhe humbjeve, t’i kenë më të shpeshta dhe më vendimtare fitoret se humbjet, apo aq më mirë, ta shndërrojnë serinë e humbjeve në një seri kapërcimesh të vetes. Sepse brenda ligjit të Zotit që ndërron mes tyre humbjet dhe fitoret, ngurrimi për t’u ballafaquar me kundërshtarët e Zotit mund të sjellë si pasojë që një Bedër në perspektivë të shndërrohet në Uhud dhe përkundrazi gatishmëria për t’u përballur me këta kundërshtarë, mund të bëjë që në perspektivë, Uhudi të shndërrohet në Bedër.
Prof. Rudian Zekthi