1.
Durimi është një prej virtyteve që u rekomandohet më së shumti besimtarëve, qoftë nga Fjala e Allahut në Kuran, qoftë nga gjithë ajo që vjen prej Sunetit, Fjalë apo Vepër. Kjo është e njohur për besimtarët në rend dogmatik dhe pedagogjik, por ndoshta ka vend për ta rishikuar marrëdhënien me durimin, si një mundësi për të njohur më mirë veten dhe për të ndrequr çfarë mund të jetë e mangët në imanin e tyre.
Ajetet dhe hadithet janë të shumta, por në vazhdim ne nuk kemi zgjedhur një procedurë antologjike, pra të qëmtimit dhe të përmendjes së tyre së bashku, pavarësisht se ku gjenden në Kuran dhe pavarësisht se kur janë thënë në jetën e Profetit Muhamed a.s. Jo se kjo procedurë është e papërshtatshme, përkundrazi ajo është gjithmonë e përshtatshme, por së pari sepse nuk jemi as dot në gjendje ta bëjmë dhe së dyti pasiqë mendojmë se për të paraqitur këtu atë që kuptojmë rreth durimit, na mjafton një numër i kufizuar ajetesh domethënës.
Do të përqendrohemi tek dy ajete të sures Bekare dhe në tri ajete shkëputur nga ajo çfarë Allahu thotë për Betejën e Uhudit, në suren Ali Imran.
Bekare 155 – 156; “Sigurisht që ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, njerëzve dhe të lashtave. Prandaj përgëzoji të duruarit, të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”
Ali Imran 153: “Kur ju morët malin dhe nuk i vinit veshin askujt, Të Dërguarin e kishit mbrapa dhe ju thërriste, Allahu ju dënoi me dëshpërim pas dëshpërimit, që të mos pikëlloheshit as për atë që ju doli duarsh, as për atë që ju goditi. Allahu di gjithçka që punoni ju.”
Ali Imran 186: “Ju me siguri do të sprovoheni në pasurinë dhe në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që u është dhënë Libri para jush, si dhe nga paganët. Por nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë vërtet kjo është përcaktuese e çështjeve.”
Ali Imran 200: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri – -tjetrin që të bëheni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun që të shpëtoni.”
Gjëja e parë që duhet të themi është që këshillimi për durim, në thelb nuk mund të jetë thjesht një rekomandim për të patur kapacitet të mjaftueshëm mendor dhe trupor për të mbijetuar ndaj sprovave, sepse në fakt qeniet njerëzore janë programuar për të duruar e mbijetuar (duke e çuar në ekstrem argumentin, me qëllim për ta shteruar: mosdurimi akut ndaj sprovave dhe fatkeqësive do të ishte vetëvrasje dhe fakti që vetëvrasjet janë të pakta e të rralla, dëshmon se njerëzit gjithsesi durojnë apo janë të dënuar të durojnë). Kjo ftesë për të kultivuar durimin ka të bëjë me mënyrën sesi do të përballojmë goditjet dhe jo me merakun se mos me një mënyrë apo tjetrën këto goditje nuk do të përballohen.
Pra këshilla për durim shtrihet në dy nivele, sepse nënkupton sigurisht detyrimin për të mbijetuar, pra për t’mos e ndërprerë ekzistencën justifikuar me intensitetin e goditjeve, por po ashtu nënkupton edhe mundësinë që përballimi i goditjeve të mos shërbejë si justifikim për të lëshuar veten a për të bërë punë të këqija.
2.
Ajetet 155- 156 të sures Bekare, në fakt duket se sugjerojnë nivelin e parë të durimit, pra duke i përmendur shprehimisht sprovat e posaçme dhe duke sugjeruar se kur përballen me fatkeqësi, besimtarët durojnë duke përmendur Allahun. Thënia “të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi” duket se sugjeron mënyrën sesi besimtarët duhet të ngushëllohen për dëmin e pësuar, pra duke kujtuar se gjithçka vjen prej Zotit, pra dhe ajo që e kanë patur të dashur ka qenë dhuratë nga Zoti dhe humbja e saj është kthim tek Zoti.
Ngaku mund të nxjerrim si përfundim që në raste fatkeqësish të posaçme imediate është të përballohet me dinjitet goditja e parë, gjë që bëhet vetëm përmes vetëdijes për Krijimin si Atribut i Zotit, dhe më pas të përfshihen në rrjedhën e gjërave që pason fatkeqësinë, për të përfituar nga fakti që me kalimin e kohës pikëllimi dhe dhimbja mpaken dhe kujtesa zbehet prej harresës.
Po e theksojmë se parasëgjithash një rekomandim e tillë bart edhe një aspekt etik, pra është jo vetëm këshillë për durim por edhe për fisnikëri, pasi nënkupton që humbjet e njerëzve të dashur nuk mund të kalojnë shpejteshpejt, përmes shkëputjes sa më shpejt të jetë e mundshme prej kujtimit të tyre, por për dinjitet të të humburit dhe humbësit, duan kohën e vet, kohë e mostrazimit nga çështje të tjera.
Një kuptim i tillë është i natyrshëm dhe në njëfarë mënyre i pashmangshëm, madje në sajë të kësaj natyrshmërie ky kuptim është shumë i përhapur mes njerëzve në përgjithësi (por edhe mes muslimanëve po ashtu), por pikërisht këtu duhet të bëhemi të vëmendshëm për të kuptuar se ky qëndrim prej natyrshmërisë, është vetëm niveli i parë i durimit dhe i rekomandueshëm mëvetësisht në Kuran, vetëm si një mundësi përballimi ndaj fatkeqësive.
Pra është një rekomandim partikularist, vetëm për raste të veçanta, dhe jo për gjithë çfarë e lodh, mundon, zhgënjen, pikëllon apo dëshpëron njerëzit. Për gjithë rendin e ngjarjeve të padëshirueshme, dështimeve, zhgënjimeve, kurtheve, fyerjeve, poshtërimeve me të cilat përballen besimtarët, kërkohet një tjetër nivel durimi dhe jo thjesht ky durim bazik për të mos u thyer përballë dhimbjes në raste fatkeqësish.
Problemi pra është se ne pa qenë tamam të vetëdijshëm për këtë nuancë, kemi marrë të mirëqenë nivelin e parë të durimit, pra durimin e momentit të parë të goditjes ( pasuar nga efektet amortizuese të kalimit të kohës) e kemi marrë si të vetmin durim të mundshëm, duke e shndërruar jetën në një rutinë gjatë kalimit nga një fatkeqësi tek tjetra, apo në një inerci të pandërprerë garantuar nga ky kapacitet suportues i durimit me të parën.
3.
Për ta kuptuar më mirë këtë dallim mes këtyre dy mundësive për durim që kemi ne si besimtarë, na ndihmojnë ajetet e sures Ali Imran. Ajeti 153, flet për momentin e shthurjes së disiplinës së besimtarëve gjatë betejës së Uhudit, pra kur e braktisën pa urdhër postin ku i kishte lënë Muhamedi a.s. duke u dhënë pas lakmisë për plaçkën e luftës, shthurje që çoi praktikisht në humbjen e një beteje që e kishin në avantazh dhe aq më tepër në humbjen e shumë muslimanëve dhe në rrezikim serioz të jetës së Muhamedit a.s. Sipas Tefsirit të Ibn Kethirit, “dëshpërim pas dëshpërimit” ka të bëjë me përjetimin shokues të besimtarëve kur u përhap lajmi (që ata nuk e dinin që ishte i rremë) se ishte vrarë I Dërguari i Allahut dhe së dyti me brengosjen e Profetit a.s. sesi një popull mund të shpëtojë kur synon të vrasw profetët e vet.
Por ne këtu do të tërheqim vërejtjen diku tjetër, pra tek vazhdimi i ajetit, ku thuhet “që të mos pikëlloheshit as për atë që ju doli duarsh, as për atë që ju goditi”. Këto fjalë sugjerojnë se mënyra sesi rrodhën ngjarjet pas këtij faji të muslimanëve, qe e tillë që ata nuk patën kohë apo mundësi të dëshpërohen më për humbjen e plaçkës së luftës dhe as për humbjen apo humbjet e njerëzve, sepse u duhej të përballeshin me një ngjarje më të rëndë, siç ishte mundësia e rënies në betejë të Profetit a.s. (dëshpërim për të cilin besimtarët qortohen po në suren Ali Imran , ajeti 159 – siç edhe e kemi përmendur tek “ Esbabi i Ebu Bekrit”).
Nga ku duket se mund të nxjerrim si përfundim se marrëdhënia me durimin apo me kapacitetin për të përballur dëshpërimin, është dinamike dhe përpjestimore, pra që do të thotë se durimi i radhës është gjithmonë i zëvendësueshëm nga një durim i ri (i cili durim i ri për një sprovë të re, funksionon si mekanizëm suportues edhe për sprovën pararendëse). Për sa kjo është një e vërtetë e përgjithshme, na sugjeron se duke qenë se në thelb jeta është një sprovë e pandërprerë, niveli i parë i durimit, pra durimi me të parën, (që është në njëfarë mënyre i vetmi nivel për rastin e fatkeqësive fatale), është vetëm durimi fillestar në rastin e sprovave të pandërprera me të cilat përballen besimtarët dhe se duhet të vazhdohet me nivelin e dytë që është durimi dinamik, durimi i përhershëm dinamik, durimi si zinxhir mundimesh, brengash dhe dëshpërimesh që pasojnë njëra-tjetrën. Pasojnë në këtët rast, nuk do të thotë mbivendosen dhe bëhen bllokuese, paralizuese dhe mbytëse, por do të thotë zëvendësohen, pra transformohen tek njëri – tjetri duke qenë pamje të ndryshme të të njëjtit kapacitet bartës – suportues, durimit të pandërprerë.
Dhe si bëhet kjo? Duke e shoqëruar durimin me punë të mira dhe punët e mira me durim “Por nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo vërtet është përcaktuese e çështjeve”. Sepse vijimësia në durim dhe në punët e mira nuk është rast pas rasti, pra duro dhe bëj pas durimit një punë të mirë apo bëj një punë të mirë dhe duro pasojat dëmtues që mund të shkaktojë: jo, besimtari kalon në mënyrë të natyrshme nga një punë e mirë tek tjetra, pa menduar për çdo rast se çfarë do t’i duhet të suportojë, sepse ky kapacitet suportues duket të jetë i garantuar prej Zoti, nëpërmjet transformimit të durimit në durim, si shpërblimi i parë( dhe në thelb vetëm ky i mjaftueshëm) i Zotit për këto vepra të mira.
Rudian Zekthi