1.
Në vitin e 9 të Hixhretit ( në tetor të vitit 631), Muhamedi a.s. udhëheq për herë të fundit në jetën e tij ushtrinë e muslimanëve, në atë që njihet si ekspedita apo fushata e Tebukut, sipas emrit të vendit që shërbeu si synim i kësaj fushate. Bëhet fjalë për një krahinë në veriperëndim të Gadishullit Arabik, të banuar nga fise arabe të krishtera, që ishin në gjendje vasaliteti me bizantinët, në zonën e ndërmjetme mes territoreve në veri të administruara drejtpërdrejt nga Bizanti dhe arabëve gadishullorë në jug. Mobilizimi i përgjithshëm (prej të cilit u përftua një trupë prej 30000 luftëtarësh, ushtria më e madhe e muslimanëve deri në atë kohë), u bë me qëllim përballjen me ushtrinë bizantine, për të cilën kishte informacione se po grupohej në kufi për të sulmuar apo kërcënuar muslimanët.
Nga gjithë betejat e Muhamedit a.s., kjo është ndoshta më e pranishmja në Librin e Allahut, pasi për të flet pjesa më e madhe e Sures Teube, rreth 90 ajete (nga ajeti 38 deri në fundin e kësaj sureje me 129 ajete) (ndërsa në ajetet pararendëse flitet kryesisht për prishjen nga ana e idhujtarëve të marrëveshjes së Hudejbijes).
Dhe përshkrimi në Suren Teube i asaj që ndodhi para dhe gjatë ekspeditës së Tebukut, kontraston me përshkrimin e Betejës së Uhudit në Suren Ali Imran, që siç thamë tek “Uhudi”, tek kjo sure, ne vumë re faktin habitës që përkundër gjynaheve që çuan në dëmtime fatale dhe dobësisë së qartë të besimtarëve (dhe aq më tepër përkundër dezertimit të hapur të munafikëve) Allahu praktikisht nuk i qorton ata, por i fal dhe i fton të përqendrohen në besim dhe në Komunikimin me Të, si vazhdim i natyrshëm i një përvoje kaq të rëndë sa dobësia dhe paniku që i kaploi në Uhud. Kontrasti qëndron në rreptësinë me të cilën Allahu i qorton, paralajmëron dhe kërcënon, ata pjesëtarë të shoqërisë muslimane të Medinës, të cilët me ngurrimin dhe mosdashjen e tyre për t’u përfshirë në këtë fushatë, nuk u shqetësuan për dëmin që u sillnin muslimanëve dhe Çështjes së Zotit.
Ky kontrast përforcohet akoma më tepër nga paradoksi fillestar, që në Uhud bëhej fjalë për një betejë për mbijetesë, për jetë a vdekje, një betejë që muslimanët nuk kishin në dorë ta zgjidhnin apo ta shmangnin, kurse në Tebuk, bëhej fjalë për një betejë pa shkaqe imediate urgjence, një betejë preventive ndaj rrezikut ende të largët të Bizantit, e cila të paktën në raport me sezonin ku u organizua, mund të jepte përshtypjen se mund të shtyhej për një kohë më të përshtatshme ( dhe me vërtetësinë e një gjykimi në laborator, do të duhej qortim i fortë dhe ashpërsi e pashmangshme ndaj gjynahqarëve dhe munafikëve të Uhudit dhe më tepër mirëkuptim dhe tolerancë për gjynahqarët dhe munafikët e Tebukut).
Mirëpo vërtetësia situative çon pashmangshmërisht në një gjykim tjetër, të përkundërt: në Uhud, si besimtarët që bënë faj, si munafikët që dezertuan, u sollën në përputhje me gjendjen e tyre në atë moment të pandërrueshme dot me një gjendje tjetër, pra besimtarët në përputhje me dobësinë e tyre (për të cilën kishin qenë të pavetëdijshëm që e bartnin) dhe munafikët, në përputhje me besimin e tyre të çoroditur, i tëri mbështetur mbi dyshime dhe pasiguri, dyshime themelore të cilat nuk i lejonin ta vinin bast jetën e tyre (bast dhe jo zgjedhje, përderisa tek besimi i tyre pasiguria e dominonte sigurinë).
Ashpërsia dhe kërcënimi në një situatë të tillë janë kundërproduktivë, të tillëve pas mbijetesës u duhet dhënë kohë që të kapërcejnë me themel gjendjen e tyre dhe mbi të gjitha u duhet ofruar vetëdija e një mundësie të re. Kurse në Tebuk, si besimtarët dhe munafikët ishin në kushtet e një zgjedhjeje të pasforcuar, pa presionin e mbijetesës dhe fatalitetit të një fundi pakthim, pra ishin në situatën adekuate të zgjidhnin ata vetë gjendjen apo relacionin me themelet e vërtetësisë së besimit të tyre, e për pasojë veprimi i bërë gabim ishte një zgjedhje dhe jo një moment dobësie që duhet kapërcyer (përkatësisht me synimin për t’mos u përsëritur më), ishte një veprim i dedikuar i keq dhe i shëmtuar, i patolerueshëm (se tolerimi edhe në këtë situatë do donte të thoshte se Çështja e Bashkësisë së Besimtarëve dhe Çështja e Zotit nuk mund të jenë asnjëherë të rëndësishme në vetvete.)
2.
Nuk ishte qëllimi ynë (e në fakt as nuk mundemi dot) të flasim këtu për gjendjen e munafikëve, kështuqë nuk do të merremi me shqyrtimin në tërësi të prerogativave dhe kërcënimeve ndaj tyre, të sjella nga Allahu përgjatë pothuajse gjithë Sures Teube.
Në fakt ne duam të depërtojmë në thellësi të kuptimit se ç’ishte Fushata e Tebukut në vetvete, të dëshmojmë pashmangshmërinë e saj përkundër dukjes si opsionale, domosdoshmërinë e saj, përkundër supozimit se pa sinjale konkrete nga kufiri me Bizantin ajo nuk kishte arsye të ndodhte.
Për ta bërë këtë do të përqendrohemi vetëm në tre prej ajeteve të sures Teube. E nisim me ajetin e mëposhtëm:
“ Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ai ishte në shpellë dhe i thoshte shokut të vet: mos u mërzit se Allahu është vërtet me ne! Atëherë Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet Allahu është I Plotfuqishëm, I Urtë” Teube, ajeti 40.
Ky ajet i cili është ajeti tretë në bllokun prej 90 ajetesh ku flitet për Tebukun (dhe paraprihet nga ajeti 38 ku flitet për “luftë në rrugë të Allahut” dhe ajeti 39 ku shfaqet pohimi madhështor “ nëse nuk shkoni në luftë, Ai (…..) do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër”), shpall se Fushata e Tebukut ishte detyrim i posaçëm për Muhamedin a.s. dhe do të duhej që besimtarët edhe po të mos e rroknin dot si të tillë, si detyrim të pashmangshëm do të duhet të përfshiheshin në të, për të ndihmuar Muhamedin a.s. në misionin e tij. Dhe kjo ndihmë nuk e pengonte Muhamedin a.s. në përmbushjen e detyrimit të tij, pasi Zoti e kishte ndihmuar edhe më parë dhe do ta ndihmonte sërish, por kjo ndihmë ishte detyrimi i besimtarëve ndaj detyrimit të Muhamedit a.s. Dhe cili ishte ky detyrim, apo ky mision? Pjesa e fundit e kërij ajeti e tregon këtë “…Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara”.
Thënë ndryshe, ndërsa në betejat e deri atij momenti, e parasësgjithash në Bedër dhe Uhud, përballja me armikun ishte në të njëjtën kohë betejë për të lartësuar Fjalën e Allahut në të njëjtën kohë me betejën për mbijetesë për të ruajtur jetët e tyre dhe të familjeve, Tebuku ishte pastërtisht vetëm betejë për të lartësuar Fjalën e Allahut, pa shtrëngimin e një sulmi të pashmangshëm që vinte në dyshim mbijetesën. Tebuku ishte situata e parë ideale ku për Bashkësinë e Besimtarëve do të bëhej e qartë se jeta e tyre nuk kishte kuptim tjetër përveçse si Ndihmëtarë të Profetit a.s. në lartësimin e Fjalës së Allahut, që është Çështja e Çështjeve. Kush nuk e kupton këtë, nuk kupton se bëhet fjalë për Xhihadin në esencën e tij, si sakrifikim i një gjëje të gjallë si jeta e besimtarët, për Më Të Gjallën mes nesh në këtë botë, Fjalën e Allahut zbritur Muhamedit a.s..
Analogjia e të qenit i ndihmuar Muhamedi a.s. prej besimtarëve njësoj si prej Allahut, ka të bëjë me momentin e ndjekjes së tij dhe Ebu Bekrit në rrugën për në Medine, kur vetëm një mrekulli i shpëtoi nga të pikasurit prej mushrikëve. Si e tillë, kjo analogji na sugjeron se njëjtë siç po të kapej aty Muhamedi a.s. nga mushrikët, do të ishte ndërprerja e përpjekjes për lartësimin e Fjalës së Zotit, po ashtu mosmobilizimi i muslimanëve për të shkuar e për t’u matur me mosbesimtarët në skaj të Gadishullit Arabik, ndejtja e tyre në limontinë e një triumfi të pabesueshëm (brenda 9 vjetëve dominoni praktikisht gjithë Gadishullin), do të pasohej herët a vonë nga një sulm i pashmangshëm i Bizantit ndaj tyre, që mund të ishte po aq rrezik për të ndërprerë lartësimin e Fjalës së Zotit sa edhe ndjekja e Muhamedit a.s. në shkretëtirën mes Mekës dhe Medinës.
3.
E përforcon këtë që thamë, siç thamë, një tjetër ajet nga surja Teube: ” O besimtarë! Luftoni kundër mohuesve që gjenden pranë jush dhe le ta ndjejnë ata ashpërsinë tuaj!(…..)” Teube, ajeti 123.
Ky ajet urdhëron besimtarët të luftojnë ndaj jomuslimanëve, urdhër i cili i ikën përcaktimit si urdhër luftënxitës, apo si urdhër që dëshmon intolerancë dhe refuzim të paqes, siç mund ta pretendojnë në përgjithësi jomuslimanët dhe posaçërisht kundërshtarët dhe armiqtë e Islamit.
Paraqitja e tij si urdhër destruktiv është e rreme, pasiqë nuk merr në konsideratë dy premisa, një tekstuale dhe një historike, të cilat premisa përputhen edhe konfirmojnë njëra – tjetrën. Premisa tekstuale, është qartësia eksplicite e përcaktimit të kushtit të kësaj lufte në këtë ajet “ mohuesve që gjenden pranë jush” që ia heq urdhrit universalitetin absolut dhe përkitaz me të ia heq mundësinë e shndërrimit të luftës në një fiksacion apo mënyrë të qeni. Bëhet fjalë vetëm për jomuslimanët që gjenden pranë besimtarëve, apo ngjitur me ta, apo rrotull tyre si rasti i bizantinëve me muslimanët, në kontekstin e Tebukut.
Po përse a nuk mjafton që urdhri të përfshijë pabesimtarët që janë fqinjë (madje si mund të mos ishte për to, e të ishte për pabesimtarët që janë përtej dhe nuk ka kontakt me to ?!), e që të jetë një urdhër paqeprishës? Do të ishte kështu siç sugjerohet me këtë pyetje që nuk qe e jona, por e atyre që nuk pajtohen me Islamin, nëse për nga natyra popujt fqinjë që u përkasin feve të ndryshme, pra që besojnë për njëri – tjetrin reciprocikisht se janë pabesimtarë, nuk do të ishin vazhdimisht në tension e konflikt mes tyre. Kjo na çon tek premisa e dytë, premisa historike që përmendëm më lart: Gjendja e natyrshme e marrëdhënieve mes popujve a vendeve fqinjë, me fe të ndryshme, është ose gjendje detante të armatosur, ose gjendje paqeje themeluar mbi vasalitetin, ose gjendje lufte. Nuk ekziston diçka e tillë (sigurisht e dëshirueshme, por mesa duket e pamundshme) si paqja e pakushtëzuar dhe pa prapamendim.
4.
Në fakt ekziston vetëm një mundësi për një paqe të tillë, apo së paku që pragmatikisht funksionon si e tillë: ndarja gjeopolitike e botës në blloqe të mëdha të një morie vendesh dhe popujsh të së njëjtës fe, të cilët rrethohen me njëri -tjetrin dhe kufizohen mes vete duke krijuar një areal apo hinterland, ndryshe një qytetërim themeluar mbi një doktrinë fetare, të cilët janë në një paqe normale mes vetes (ndërprerë përgjatë historisë nga luftëra të herëpashershme) dhe pjesa më e madhe e tyre në një paqe të padyshimtë në raport me vende a popuj të feve të tjera, pasiqë ato janë larg, nuk kanë kontakt fizik me to, nuk kufitarizojnë me to.
Çfarë ishte e pashmangshme si detantë e armatosur, a si paqe përmes vasalitetit apo drejtpërdrejt luftë, detyrimisht mbeten opsionet e vetme të pashmangshme në zonat e kontaktit të pellgjeve qytetërimore me njëra – tjetrën, haraç i pashmangshëm që të zhvillojnë paqen si gjendje të natyrshme në zonat në brendësi të secilit hinterland, e prej kësaj gjendje paqeje secili të zhvillojë potencialin e vet kulturor dhe devocional, që janë produktet e çmuara të paqes, nëse ajo nuk bie në stanjacion dhe degradim.
E thënë ndryshe, çdo bashkësi synon në mënyrë të natyrshme kushtet për t’i ushtruar në kushte optimale edhe luftën, edhe paqen, por ajo që shkakton konfuzion është sesi e konceptojnë marrëdhënien mes tyre, suksesive apo simultane. Nëse besojnë se lufta dhe paqja nuk mund të ushtrohen në të njëjtën kohë, kjo mund t’i çojë në idenë e çuditshme se lufta edhe mund të shmanget në mënyrë përfundimtare (gjë që mund të ndodh përmes një lufte totale ku të gjithë njerëzimit i imponohet Një program Unik, pra ku njerëzimi homogjenizohet përreth një doktrine gjë që as ka ndodhur, as pritet të ndodhë). Dhe përveç shërbimit të një utopie, për më keq akoma, kjo bën që paqja të vihet në shërbim të luftës, pra ta përdorësh paqen për të bërë njëherë e mirë atë luftën totale utopike, duke çuar kështu në keqkonceptim edhe të luftës, edhe të paqes.
Por, nëse përkundrazi besojnë, se lufta dhe paqja janë të dyja njësoj të pashmangshme, pra ndodhin paprerë në të njëjtën kohë, atëherë çlirohen nga utopia pacifiste që nënkupton një luftë totale finale, dhe synojnë të gjejnë mënyrën më të mirë për t’i bërë të dyja njëkohësisht. Ne besojmë se ky është kuptimi i asaj që thotë Allahu në një tjetër ajet, po në suren Teube, po me sebep Tebukun: “ Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në fe dhe kështu popullin e vet, kur të kthehet nga lufta, ta udhëzojë në përputhje me të.” Teube, ajeti 122.
Kuptohet menjëherë nga ky ajet i madh, se ky nuk është urdhër për Fushatën e Tebukut, por për gjithë fushatat dhe betejat: “ Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh…” ( pra jo të gjithë në luftë) do të thotë që një pjesë e shoqërisë merret me thellimin e kuptimit fetar (që do të thotë po ashtu edhe se nuk mund të vazhdohet me të njëjtin nivel kuptimi të fesë, se pra lufta e bën të thekshme nevojën e tejkalimit të nivelit të kuptimit fetar) (përthellim që nuk lihet mënjanë as përkohësisht në raste emergjence, siç luftrat janë).
Po ashtu, ky ajet na sugjeron, se lufta është e mundshme të bëhet nga të gjithë (me përjashtime vetmitare), ndërsa tejkalimi i përciptësisë në kuptimin fetar nuk është atribut i të gjithëve por i një pjese – pakicë, të cilët përjashtohen nga detyrimi për luftë si grup por jo secili veç e veç (pra nuk do të thotë që pjesëtarë të saj nuk marrin pjesë personalisht në të); dhe po ashtu nuk përjashtohen nga detyrimi që të jenë pranë luftës me një kontakt të thekshëm, për ta shfrytëzuar luftën si mundësi për të kapërcyer rutinën dhe limitet e dijes aktuale.
5.
Dhe që një bashkësi t’i japë mundësi vetes që të bëjë njëherazi edhe luftën edhe paqen, pa neglizhuar asnjërën, i duhet të synojë si realitet të dhënë që doktrina e saj të jetë inspiruese e një qytetërimi që përfshin shumë vende dhe popuj, si e vetmja mundësi që mesazhi i tij të ishte njëherazi i mbrojtur – i disponueshëm dhe i përcjellë – ofruar, pa rrezikuar të bjerrej tjetërlloj vetëm se prej dobësisë së vetë pjestarëve të kësaj bashkësie.
Pra duke krijuar pellgun e vet qytetërimor, Islami do të kishte të dhënë si atribute paraprirëse, të paktën dy garanci të forta: zonën kufitare si tampon për të amortizuar goditjet nga jashtë, dhe arealin e brendshëm në një paqe me shumë garanci, që do të mundësonte zhvillimin e brendshëm kulturor, material dhe shpirtëror, që nëse do të optimalizohej do të manifestohej në rastin më të parë si epërsi ndaj qytetërimeve të tjera të përftuara nga fe të tjera.
Tek përmbushja e këtyre dy atributeve përmes një aspirate qytetërimore, i angazhoi shokët e vet Muhamedi a.s. me konceptimin e Fushatës së Tebukut: duke synuar që në fillim këto dy atribute (e duke i përmbushur shumë shpejt, brenda pak viteve) Islami mund të dëmtohej vetëm nga vetë muslimanët, pra nga paaftësia e tyre për t’u zhvilluar, edhe pse në kushte optimale (siç në fakt, më në fund ndodhi dhe po ndodh).
Ky ajet e bën qartësinë të lehtë: na zbulon ligjin, që nuk mund të bësh luftë, pa synuar në të njëjtën kohë me të, kuptim të thellë fetar. Kuptimi i thellë fetar bën të mundshëm një zhvillim kulmor të bashkësisë, zhvillim që jep epërsi në luftë (atëherë kur lufta duhet), epërsi që rrit mundësitë që zona e përhapjes dhe ndikimit të këtij zhvillimi të rritet : pra lufta është mjet, zhvillimi dhe përmirësimi janë qëllim.
Duke qenë Islami një doktrinë e re, për Muhamedin a.s. dhe sahabët, përmbushja e luftës dhe paqes, qe detyrim të bëheshin jo vetëm në të njëjtën kohë, por edhe papushim, për të njëjtën masë njerëzish (ndërprerja do të rrezikonte që paqja të ishte e kërcënueshme); shërbim prej tyre ndaj muslimanëve të gjeneratave pasardhëse : (asgjë nuk ka ndryshuar në fakt, se lufta dhe po paqja njëherazi ndodhin), por pellgu qytetërimor dhuruar prej gjeneratave të mëparshme, u jep brezave pasardhës mundësinë komode që këto të mos bëhen medoemos nga e njëjta masë njerëzish, paçka se nga e njëjta bashkësi qytetërimore me themele të përbashkëta doktrinare. Sigurisht që kjo bën që ata që banojnë në zonat kufitare të jenë vazhdimisht të preokupuar me luftën ( opsionalisht: me detantën e armatosur, apo paqen e imponuar përmes vasalitetit), por si kompensim marrin thellësinë gjeopolitike qytetërimore që u garanton një thellësi të caktuar kuptimi. Dhe nga ana tjetër garantojnë një imperativ jetik për të tërën: popullata e zonave qendrore që shijojnë paqen ngjitur me luftën, kanë mundësinë për një kontakt të gjallë me luftën, për përbrendësim imediat të çdo realioteti të ri (që lufta e veçon dhe zmadhon), që Zoti e tregon si rrugë që mundëson kuptimësimin të thellë fetar ( konfirmim i çfarë tashmë e kemi thënë, pra që kjo thellësi në fe nuk mbërrihet duke i kthyer shpinën dijes mondane).
( Të vihet re: detyrimi për luftë permanente, bie vetëm për zonat e brendshme – qendrore të bllokut qytetërimor, duke përfituar që konflikti dhe lufta konsumohen në zonat kufitare. Kjo nuk i përjashton banorët e këtyre zonave nga pjesëmarrja në luftë, por përjashton që lufta të bëhet në shtëpitë e tyre. Por më e rëndësishme është të kuptojmë këtë: se ndërsa banorët e zonave kufitare qytetërimore mund të jenë të çliruar nga detyrimi për mosthellim fetar, banorët e zonave qendrore qytetërimore janë të obliguar të marrin përsipër detyrimin për thellim permanent të kuptimit fetar në përputhje me ajetin 122 të sures Teube. Pra nëse nuk bëjnë luftën, arsyeja është se duhet të bëjnë diçka edhe më të rëndësishme se ajo, pra përthellim kuptimi në fe. Dhe nëse nuk bëjnë as më luftën dhe as përthellimin në Fjalën e Allahut, atëherë çfarë janë duke bërë, përveçse të paduhurën? – çfarë dhe i largon pakthim nga Tebuku.)
Rudian Zekthi