1.
Zbritja e sures Nisa në Medine, ka zgjatur për rreth 2 vjet. Fakti që ajetet e saj të para flasin për ndarjen e trashëgimisë dhe sjelljen ndaj jetimëve, ka të bëjë me gjendjen e muslimanëve pas Betejës së Uhudit dhe rënies shehid në të të 70 besimtarëve, nga ku rezulton që surja ka filluar të shpallet pas kësaj beteje, pra në vitin 4 të Hixhretit. E duke qenë se aty paralajmërohen për herë të fundit Benu Israilët e fisit Benu Nadir, para se të dëbohen prej Medines, gjë që ka ndodhur në vitin e 5 të Hixhretit dhe po ashtu përcaktohet tejemumi si zëvendësues i abdesit në mungesë të ujit, sebep për të cilën qe beteja e Benu Mustalik në vitin e 6 të Hixhretit, që do të thotë se zbritja e kësaj surje ka përfunduar pikërisht në këtë vit.
Ndryshethënë, zbritja e kësaj surje ndodh në periudhën mes Betejës së Uhudit dhe Betejës së Hendekut. Periudhë e vështirë (ndoshta më e vështira për muslimanët Pas Hixhretit), karakteristika të së cilës ndër të tjera ishin shtimi i armiqësisë dhe shpallja haptazi e kësaj armiqësie ndaj muslimanëve, prej fiseve idhujtare arabe dhe prej Benu Israilëve, një lloj kulmimi i rrezikut prej munafikëve, frikësimi dhe persekutimi i muslimanëve kudo që të ishin jashtë Medines dhe një lloj stepje dhe pasigurie e vetë muslimanëve në Medine.
Duke qenë se në tërësinë e saj Surja Nisa rrok këtë gjendje, mund të vërehet sesi në këtë sure flitet praktikisht për të gjitha këto çështje.Por ne do të përpiqemi këtu të tregojmë sesi trajtimi i kësaj periudhe në këtë sure, sugjeron si lejtmotiv bazë që kategoritë janë të përhershme dhe të paluajtshme kurse përkatësitë mund të jenë kalimtare dhe të lëvizshme.
Më e qartë duket kjo në trajtimin e gjendjes së muslimanëve të mbetur në Mekë nën sundimin e mushrikëve, pas Hixhretit. Pa patur mundësi të largoheshin, me pjesën më të madhe të besimtarëve të zhvendosur qindra kilometra larg dhe sidomos pa praninë e Profetit a.s. dhe nën ashpërsinë dhe mërinë në rritje të mushrikëve mekas, ata ishin në një gjendje bazë dobësie, të ngushëlluar vetëm nga shpresa e rikthimit dhe triumfit të muslimanëve. Gjë që e përshkruan Allahu në Kuran: “Ç’keni ju që nuk luftoni në udhë të Allahut dhe për shpëtimin e të shtypurve (mustedaifinë), për burrat, gratë dhe fëmijët që thërrasin: O Zoti ynë! Nxirrna nga ky qytet, banorët e të cilit janë keqbërës! Na cakto një mbrojtës dhe na dërgo nga ana jote dikë që të na ndihmojë!” Sure Nisa, ajeti 75.
Siç mund të kuptohet nga ky ajet, këta besimtarë ishin të dobët, të munduar, të papeshë, të paaftë për t’i dalë për zot vetes, pa vullnet për të përcaktuar ata vetë se ç’do të ndodhte me ta. E thënë më ashpër, një gjendje në të cilën burrat ishin me të njëjtin status me gratë dhe fëmijët, një gjendje në të cilën duket se Allahu nuk i qorton burrat që ankohen dhe kërkojnë ndihmë si të ishin fëmijë. Po përse Allahu nuk i qorton, pra përse ankimi i tyre dhe deklarimi i dobësisë si themel të të qenit, janë të pashmangshëm?
Ka vetëm një shpjegim të arsyeshëm për këtë: muslimanët mekas para Hixhretit mbaheshin me aspiratën që herët a vonë thirrja e tyre do ta ndryshonte gjendjen e gjërave në shoqëri duke e kthyer Mekën në një qytet musliman, por pas ikjes së pjesës më të madhe të besimtarëve dhe sidomos të më të rëndësishmëve ndër to, burrat e mbetur nuk mund të motivoheshim më me këtë aspiratë, pra as nuk mund ta përfytyronin se ndryshimi i gjendjes së popullit të tyre ishte një amanet për ta. Pra është pamundësia e kësaj aspirate (e në përgjithësi mungesa e çfarëdo aspirate) që toleron dhe justifikon rënien e burrave në kategorinë e fëmijëve dhe grave.
2.
Pra, megjithëse kategoria e burrave është një kategori universale e përhershme njerëzore, mundësia për të qenë pjesë e kësaj kategorie, nuk është e dhënë njëherë e mirë dhe në mënyrë përfundimtare, sepse ekziston mundësia ekstreme që burrat të mos jenë dot të tillë dhe madje edha pa qenë medoemos fajtorë për këtë (ndaj edhe e quajtëm ekstreme). Dhe për burrat nuk mund të ketë gjë më të rëndë se kjo, të qenit mustedaifinë. Por në fakt ka diçka edhe më të rëndë: të qenët e burrave mustedaifinë (pa aspirata të rëndësishme, pa vullnet, pa fuqi) pa patur dot justifikim për këtë (pra humbja e pafalshme nga vetë burrat, e mundësisë për të qenë burra).
Dhe në fakt, mjafton po ky ajet që flet për mustedaifinët e justifikuar, që në fakt qorton riskun e të shndërruarit në mustedaifinë (të pafuqishëm, të pavullnet, të papeshë) edhe të burrave të tjerë, në këtë rast të atyre besimtarëve që nuk janë nën dhunën e sundimit të idhujtarëve, por që ngurrojnë të luftojnë për të çliruar vëllezërit e tyre mustedaifinë (fëmijë gra dhe burra mbetur në Mekë). Pyetja e kthjellët e Allahut “ Ç’keni ju që nuk luftoni në udhë të Allahut dhe për shpëtimin e të dobëtëve…” është dëshmi e luhatjes së rrezikshme të besimtarëve tashmë të shpërngulur në Medine, e luhatjes së tyre për t’u shndërruar ata vetë në mustedaifinë.
Në të vërtetë ajo që tek ajeti 75 i Sures Nisa vjen si pyetje, thuhet shprehimisht pak më lart, në ajetet 72 dhe 74:
“ Në të vërtetë disa prej jush ngurrojnë të shkojnë në luftë. Nëse ju ndodh ndonjë fatkeqësi ndonjëri thotë: Vetë Allahu më ka shpërblyer mua, për t’mos u gjendur i pranishëm me ta” 4, 72.
“ Le të luftojnë në rrugën e Allahut ata që nuk e kursejnë jetën e kësaj bote për jetën e ardhshme.
Atij që lufton në rrugën e Allahut, dhe vritet ose fiton, Ne me siguri do t’i japim shpërblim të madh” 4, 74.
Përmendja e ngurrimit për të luftuar, pra për të manifestuar vullnetin dhe fuqinë dhe burrërinë, e zbutur nga përemri i pacaktuar kufizues “ disa” dhe çudia nga supozimi i ekzistencës së ndonjë arsyeje për të mos luftuar për Çështjen e Allahut dhe çlirimin e të dobëtëve, janë sinjalizime të të qenit mustedaifinë të një pale tjetër burrash, tashmë të lirë, të organizuar dhe të armatosur. Dhe sigurisht që kjo është edhe më keq se të qenit mustedaifinë të besimtarëve të mbetur në Mekë.
Po ashtu në këtë sure, gjejmë një rast tjetër të të qenit mustedaifinë, në një version edhe më të rëndë. Bëhet fjalë për ata muslimanë të mbetur në Mekë, të cilët pafuqinë dhe nënshtrimin e tyre ndaj mushrikëve e çuan deri në atë pikë, sa duke mos e deklaruar pranimin e Islamit rronin mes mushrikëve duke ndjekur jetën dhe zakonet e tyre e duke u justifikuar me dobësinë e gjendes. Gjë që çoi të përfshihen në ushtrinë apo repartet e mushrikëve e morën pjesë në luftërat e këtyre ndaj muslimanëve, duke mos shmangur situatën e të qenit vrasës besimtarësh, apo të vrarë prej besimtarëve. Siç dëshmon Allahu, po në suren Nisa: “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që kanë ngarkuar veten me faje, u thonë : Ku ishit ? Ata i përgjigjen: “Ishim të pafuqishëm (mustedaifinë) në tokë” (Engjëjt) u thonë: A nuk ishte toka e Allahut e gjerë që të mërgonit në të? Këta janë ata (njerëz), vendbanimi i të cilëve është Xhehenemi; eh, sa i keq është ai vendbanim!” 4, 98.
Në fakt janë të këtillët që e paraqesin veten si mustedaifinë për t’u justifikuar për angazhimin e tyre kundër besimtarëve, por siç duket nga vijimi dhe fundi i ajetit, ata e kanë zgjedhur me vetëdije të jenë mustedaifinë, dhe se në të vërtetë ata luhaten mes besimit dhe mosbesimit, mes të qenit besimtare dhe të qenit hipokrit. Gjë që konfirmohet edhe nga dy ajetet pasardhës, ku nga dënimi i Xhehenemit me të cilin kërcënohen hipokritët si mustedaifinë të rremë, përjashtohen mustedaifinët e vërtetë, pra besimtarët e mbetur papeshë mes mushrikëve në Mekë : “ Me përjashtim të të pafuqishmëve (mustedaifinëve) prej burrave, grave dhe fëmijëve, të cilët nuk kanë as fuqinë, as mundësinë të drejtohen në rrugë, mbase Allahu i fal, se Allahu me të vërtetë është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.” En Nisa, 99.
Ky mospranim nga Allahu i statusit të mustedaifinëve për hipokritët, tregon se ky është një status i toleruar (dhe për hipokritët përfaqësonte një rritje në status), por paralajmërimi i besimtarëve në Medine, se edhe ata rrezikonin të bëheshin të ngjashëm me besimtarët e mbetur në Mekë, tregon se ky është një status i patolerueshëm për burrat muslimanë (për ta përfaqëson një rënie në status) të cilët janë të lirë dhe të udhëhequr nga prijësa të sprovuar, mes të cilëve madje më i madhi prijës, Profeti Muhamed s.a.v.s.
Po ashtu, tregon se dallimi mes burrave dhe mustedaifinëve është i përhershëm: sa kohë ka mustedaifinë, ka edhe burra të fuqishëm që u dalin atyre për zot (qoftë edhe një burrë i vetëm, siç shpallet po në suren Nisa, ajeti 83 : “Pra lufto në rrugën e Allahut! Ti je përgjegjës vetëm për veten tënde. Nxiti edhe besimtarët, se mbase Allahu e pengon fuqinë e besimtarëve…”); por po ashtu është një dallim konvencional (pra që nuk varet nga atributet e burrërisë më vete): burrave u lejohet të jenë të pafuqishëm vetëm nëse kanë mbetur pa prijës dhe pa aspiratë. Mirëpo ndërsa mund të mos jesh burrëror në mënyrë konvencionale, nuk mund të jesh burrë konvencionalisht, të qenit burrë kërkon medoemos manifestim të atributeve burrërore.
E kështu mustedaifinët mund të mos jenë përherë mustedaifinë, kurse burrat mund të mos jenë përherë burra. Me dallimin e rëndësishëm që burrat mund t’i humbasin cilësitë e tyre burrërore vetëm për pak kohë, sepse rifuqizimi është në dorë të tyre, parasëgjithash varet vetëm prej tyre; kurse mustedaifinët mund të jenë të tillë edhe përgjithmonë, pasi rimëkëmbja nuk është në dorë të tyre, por para së gjithash tek rrethanat dhe tek ajo që bëjnë të tjerët. E me gjithë këtë dallim të rëndësishëm brenda faktit që këto kategori janë të përhershme, burrat që gjenden tek njëra apo tjetra kategori, në kohë të ndryshme mund të këmbejnë vendet mes tyre.
3.
Në fakt Surja En Nisa mund të konsiderohet si një Atlas i Madh i Kategorive, pasiqë përmenden si çifte kategoriale një numër i madh statusesh në përputhje me gjendjen e gjërave në vitet e trazuara 3-6 Hixhri. Kështu përveç burra të fortë dhe mustadaifinë, kemi edhe këto çifte të tjera kategorish: meshkuj/ femra, muslimanë / idhujtarë, muslimanë / benu israilë, benu israilë – idhujtarë, muslimanë / hipokritë, mustedaifinë / hipokritë; dhe një lexim i kujdesshëm i sures tregon sesi në fakt të gjitha këto çifte dikotomike Zoti i paraqet në tension, pra në perspektivën e humbjes apo fitimit të paprerë të statusit për këdo që është në njërën apo tjetrën kategori.
Në këtë mënyrë Surja En Nisa duket se në tërësinë e vet na udhëzon t’i shohim marrëdhëniet kategoriale përmes një sugjerimi universal: të gjitha kategoritë (dhe jo vetëm një pjesë e tyre) me universalitetin dhe përhershmërinë e tyre brenda historisë njerëzore, evokojnë domosdoshmërinë apo dëshirën që pjesëtarët e njërës kategori të kërcejnë tek tjetra dhe anasjelltas. Paraqitja e këtij pohimi si ligjësi, e bën të pashmagshme si të vërtetë për qeniet njerëzore që statusi i secilës prej tyre është gjithmonë i pagarantuar në vijimësi (njëherë i mbërritur mund të garantohet vetëm me përpjekje të forta përbrendësusese) dhe siç na mëson Surja En Nisa garancitë vijnë si ndërhyrje e drejtpërdrejtë e pandërprerë e Krijuesit mes krijesave të Tij dhe dëshirave dhe veprave të tyre.
Si pasojë e kësaj Ndërhyrjeje dhe njohjes së kufijve të Zotit shpallur nga Ai vetë, mundet që kjo tendencë ndërkëmbimi të frenohet nëse është e palejuar – haram dhe mundet të nxitet dhe rekomandohet nëse është e lejuar – hallall.
Do të tregojmë më poshtë, në vetëm dy prej këtyre çifteve kategorialë, sesi tek mënyra sesi i paraqet Zoti në këtë sure, dëshmohen kjo ligjësi dhe premisat e saj.
Së pari, (në përputhje edhe se përse Surja Nisa ka këtë emërtim), përmendja e burrave dhe grave si kategori dikotomike, e pasqyron drejtpërdrejt këtë tendencë tensionuese në marrëdhënien mes tyre tek ky ajet: ” Mos i lakmoni ato gjëra me të cilat Allahu ka bërë që disa prej jush të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar dhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e tij. Vërtet Allahu është I Dijshëm për çdo gjë.” En Nisa, 32. Këtu Allahu e dekurajon tendencën e njërës kategori për t’u bartur tek kategoria tjetër (të grave për të lakmuar atributet e burrave, dekurajim që tregon se në fakt kjo tendencë në njëfarë mënyre është e pashmangshme – një sprovë e cila përballohet përmes ruajtjes së fitres bazë që u ka dhënë Allahu dy gjinive dhe jo përmes mundësisë për ta humbur këtë fitre ( se po pra, mund të humbë, s’ka dyshim që statuset nuk janë përfundimtare). Pas këtij dekurajimi të kapërcimit të dallimeve kategoriale, Zoti inkurajon si tendencë të vetme shlyese të këtyre dallimeve, mundësinë që burrat dhe gratë të vlerësohen në bazë të vlerës së veprave të tyre dhe këshilla që vijon “…Kërkoni prej Allahut mirësitë e tij…” në këtë kontekst mund të interpretohet si lutje që besimtarët të kërkojnë prej Zotit të mos i lerë pa ndihmë në përballimin e kësaj tendence njerëzore që i asocion kufijtë, me mundësinë e vazhdueshme të kufishkeljes.
Ky ajet konfirmohet edhe nga ajeti tjetër afër tij, ajeti 34 po i Sures Nisa.
Së dyti, në paraqitjen e kategorive kundërvënëse muslimanë – ithtarë të Librit, po ashtu paraqitet në trajtën e një qortimi alarmues, kjo mosgaranci se përkatësia në kategori është e dhënë njëherë e mirë dhe përfundimtare: “ (Shpëtimi në jetën tjetër) nuk do të jetë as sipas dëshirës suaj ( o muslimanë) dhe as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit. Po kushdo që bën një të keqe do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as mbështetës tjetër përveç Allahut” En Nisa, ajeti 123.
Sipas esbabit të zbritjes, ky ajet është shpallur pas një polemike mes një grupi muslimanësh dhe një grupi të ithtarëve të Librit, ku të dy palët epërsinë e tyre mbi palën tjetër e mbështetën tek përkatësia kategoriale si një përkatësi e garantuar. Mosgarantizmi prej Allahut edhe për muslimanët, është provë e sa thamë: nëse bëjnë vepra të këqija muslimanët nuk mund të pretendojnë epërsi mbi ehli kitabët dhe madje mund të rrezikojnë edhe të humbjen e statusit kategorial.
(Ajeti fill pas këtij, pra ajeti 124, sugjeron një nuancë të jashtëzakonshme : “Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” Pra përsa i përket tendencës për kalim kategorial prej femrave duke lakmuar atributet e burrave, Allahu e dekurajon këtë në ajetin 32, por ajeti 124 menjëherë pas ajetit 123 ku flitet për tensionin prej tendencës ndërkëmbyese mes muslimanëve dhe ehli kitabit, dëshmon precizionin absolut të Fjalës së Allahut, ku gjithçka është domethënëse, sepse ajeti 123 tregon se ndërkëmbimi i muslimanëve me ehli kitabin, i ndaluar siç është, është i mundshëm e prandaj përmenden veprat e këqija, si rruga që e mundëson,pra është një ndërkëmbim përkeqësues; kurse ndërkëmbimi mes femrave dhe meshkujve i ndaluar siç është, është në thelb i pamundshëm, prandaj përmenden veprat e mira si mundësi për ta shmangur përpjekjen e kotë mund të kompensohet me kryerjen e veprave të mira, sepse pra mund të jetë një përkëmbim përmirësues.)
4.
Duke e rimarrë atë që konkluduam më lart, që justifikimi apo mosqortimi për mustedaifinët mbështetej nga fakti se ata mbetën pa prijës dhe pa aspiratë të madhe, mund të shpjegojmë se gjendja e muslimanëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit dhe sidomos në Shqipërinë zyrtare, karakterizohej nga dobësia dhe ndoshta për ta vlen justifikimi i të qenit pa dëshirën e tyre mustedaifinë, duke qenë se regjimi totalitar shkatërroi elitën e muslimanëve dhe i vuri vulën bllokimit të imagjinatës së tyre për të përfytyruar një vend ku mund të rikthehet dhe të dominojë Fjala e Zotit.
Ndërkohë pas viteve ’90, lejimi zyrtar i fesë, solli si pasojë tre kategori muslimanësh: besimtarët normalë që përmbushin haptazi 5 shtyllat e Islamit dhe besojnë 6 kushtet e Imanit; besimtarët formalë që besojnë brenda një deizmi popullor, pa i njohur themelet dhe të vërtetat e fesë së tyre(dhe që identifikimin si muslimanë e bëjnë në rrafsh kulturor); besimtarët e fshehtë të cilët i kryejnë namazet dhe agjërimet, e lexojnë Kuranin dhe e dëshmojnë Krijuesin fshehtas, duke iu ruajtur armiqësisë së sistemit dhe duke u sjellë së jashtmi njësoj si ata që nuk besojnë.
Përsa ky përshkrim përputhet me realitetin(edhe në Kosovë madje dhe jo vetëm në Shqipëri), atëherë është detyrim të vërejmë nëse përqasen ngjashmëritë në rrafsh kategorial, sipas kategorive kuranore.
Analogjia e parë që mund të përvijohet i përket llojit të tretë më lart, pra të besimtarëve shqiptarë që nuk i shpallin adhurimet e tyre, por i kryejnë fshehurazi: këto janë shumë pranë asaj kategorie që mbetën në Mekë pas Hixhretit dhe nuk e shpallën fenë e tyre, duke u bërë pjesë e së keqes. Allahu nuk ua pranoi atyre pretendimin se ishin mustedaifinë, duke u kujtuar se Hixhreti ishte rruga e tyre për t’u ruajtur nga të bërët palë me mosbesimtarët (ajeti 98).
Përsa i përket llojit të dytë sipas rendit më lart, shumica e besimtarëve muslimanë që identifikohen si të tillë pa kontakt me doktrinën por vetëm me atë që prej fesë është bërë pjesë e kulturës popullore. Të cilët as nuk e dinë që janë mustedaifinë, paçka se janë mustedaifinët e kohës sonë, për aq sa nuk kanë lidership fetar dhe nuk kanë imagjinatë të përfytyrojnë një shoqëri të udhëzuar në tërësi.
Ndërsa përsa i përket besimtarëve të xhamive, ata që i renditëm të parët më lart, ata me siguri e pranojnë dobësinë në raport me sistemin, por si duket nuk e kanë të qartë se nëse këtë dobësi e mendojnë thelbësore dhe të pakapërcyeshme, atëherë legjitimojnë ngecjen në statusin autentik të të qenit mustedaifinë (për Abdullah ibn Abasin dhe nënën e tij mund të dihej që ishin muslimanë, e megjithatë klasifikoheshin si mustedaifinë).
Nëse e pranojnë këtë status, atëherë duhet edhe të pranojnë se janë në pritje të prijësave apo të burrave të fortë që t’u dalin për zot.
Nëse nuk e pranojnë këtë status (dhe me siguri nuk e pranojnë, s’ka arsye të forta për këtë) atëherë analogia e tyre plotësohet me muslimanët e Medinës në stadin e ngurrimit për t’i dalë për zot mustedaifinëve dhe që Allahu i qorton dhe i nxit ta kapërcejnë sa më shpejt këtë stad. Dhe për t’i dalë për zot mustedaifinëve të vërtetë, rruga duket se është e qartë: duhet t’u garantojnë atyre prijësa dhe prijësi (lidership) dhe duhet t’u kultivojnë aspiratën për të bërë të rëndësishëm me përpjekjen e tyre për të përmirësuar shoqërinë.
Prijësi që nuk mund të dalë nga kurrkund tjetër përveçse nga kjo kategori e muslimanëve dhe që nuk mund të dalë nëse nuk e identifikon veten publikisht me këtë aspiratë.
Rudian Zekthi