- Projektligji për arsimin e lartë, nëse miratohet, do të na japë mundësinë ta vështrojmë si një eksperiment në shkallë të gjerë dhe laboratori në të cilin do të zhvillohet shoqëria shqiptare.
2. Por nuk është eksperiment, rezultatet e të cilit janë të paparashikueshme e për pasojë (duhet ta supozojmë këtë) as me dëme të papërballueshme. Përkundrazi, parashikueshmëria e efekteve të saj bart një koeficient të lartë, ndoshta më të lartin e mundshëm në kuptimin që dëmet nuk llogariten si efekte anësore, por si efekti kryesor i synuar i projektligjit.
3. Në këtë rast thelbi i debateve mes qeveritarëve dhe teknokratëve nga njëra anë dhe akademikëve nga ana tjetër, ka të bëjë me papajtueshmërinë e koncepteve dëm /dobi: pa asnjë nuancë ndërmjetësuese, ajo çfarë akademikët quajnë dëm (sapo më parë e kanë quajtur efekt anësor) përputhet krejtësisht me atë që qeveritarët e quajnë dobi (pasi më parë e kanë quajtur qëllimi kryesor i ligjit).
4. Shpjegimi i kësaj kundërvënieje dhe i çfarëdo pamundësie negociimi mes palëve, bëhet i lehtë nëse përqendrohemi më në fund te doktrina e ligjit, pra te skema konceptuale përmes së cilës merr kuptim dhe vlerë shkolla e lartë dhe marrëdhëniet e saj me shoqërinë, skemë që mund të deduktohet lirshëm nga një lexim i kujdesshëm i projektligjit (i cili është shprehje formale e kësaj skeme).
5. Pra: është e mundshme të ekzistojë një shtet-komb, ku për universitetin ka më tepër nevojë shoqëria (bashkësia) sesa shteti. Kjo është doktrina e qeverisë shqiptare (e hartuar nga një ekip profesorësh), që shprehet në mënyrë implicite nga tërësia e projektligjit, dhe posaçërisht nga dy risitë kryesore: ekzistenca e instituteve të pavarura publike të arsimit të lartë (IAPPL) dhe mundësia (në fakt detyrimi) e kredisë studentore.
6. (Këto dy risi të ligjit duan të thonë: universitetet, që në momentin e hyrjes së ligjit në fuqi kanë një status superior, do të rrisin tarifat dhe do të përfitojnë nga kreditë studentore: universitetet me status inferior për të konkurruar do të ulin tarifat me risk të vazhdueshëm falimenti. Dhe kjo do të jetë e padrejtë, jo sepse një pjesë e universiteteve do të mbyllen – pasi shteti në përgjithësi s’ka pse të ketë nevojë për to – por sepse do të mbyllen me short apo përmes një artifici: nuk ka asnjë besueshmëri faktike statusi i superioritetit të disa universiteteve ndaj disa të tjerave, por është thjesht një konvencion i ushqyer nga kotësia dhe zakoni.) (Dy standarde të tjera të projektligjit, thellimi i mëtejshëm i autonomisë dhe ruajtja e ilaritetit në fitimin e gradave dhe titujve konfirmojnë të njëjtën gjë: shteti nuk ka nevojë për universitetet, nuk i intereson cilësia e mësimdhënies dhe e kërkimit shkencor.) (Dhe risia e tretë, Bordi i Administrimit, konfirmon të njëjtën: shtetit universitetet i interesojnë vetëm si plëngprishës të mundshëm financiarë).
7. Ky është një rezultat i pritshëm i këtij projektligji mbështetur te kjo doktrinë dhe padrejtësia që treguam se bart në thelb është mes operatorëve universitarë dhe nuk konvertohet automatikisht në padrejtësi ndaj publikut. Për ta konstatuar praninë e kësaj padrejtësie tjetër duhet t’i përgjigjemi pyetjes: A ka të drejtë qeveria shqiptare që e mbështet këtë doktrinë? Dhe që beson se në këtë vend shteti më në fund nuk ka nevojë për universitetin?
8. Me sa duket, shteti (gjë që nënkuptohet nga deklaratat e titullarëve të tij më të lartë) ka të drejtë në këtë tezë të vetën. Në fakt, këto 25 vjet, ekzistenca e universiteteve në këtë vend nuk ka pasur ndikim të rëndësishëm në rritjen e fuqisë së këtij vendi (përfaqësuar nga shteti), as në rritjen e prestigjit, as në përmirësimin e jetës së institucioneve, as në rritjen e cilësisë së mirëqenies ekzistenciale, as në rritjen e nivelit të moralitetit (përpos funksionimit si placebo – gjasme shërues të paditurisë).
9. Mirëpo, përfaqësuesit e shtetit që qëndrojnë pas kësaj doktrine duket se shpallin bindjen e tyre te drejtësia e kësaj teze, poqe se vërtet duam që të ndreqet ky keqfunksionim kapilar i sistemit të arsimit të lartë. Por, në vend që ta shpallin, e mbulojnë: sipas tyre reforma është inspiruar nga sistemi më me prestigj i arsimit të lartë, nga ai anglosakson.
10. Dhe këtu është rasti të tregojmë ose një mashtrim të madh (nëse konfondimi është i qëllimshëm), ose një lapsus të madh (nëse është i paqëllimshëm): Në Angli dhe SHBA, me logjikën e ligjit për numrat e mëdhenj, paraja që qarkullon brenda sistemit të arsimit të lartë është aq e madhe, saqë shteti ia del që përmes një numri universitetesh elitë të përmbushë nevojën e tij për universitetin (nevojë që konfirmohet nga fakti që tek universitetet e tilla ushqehet fuqia e tyre – këtyre shteteve); dhe nga ana tjetër, për ta plotësuar paradoksin: me numrin e stërmadh të universiteteve të rëndomtë të përhapë iluzionin se më në fund, për universitetin nuk ka nevojë shteti, por shoqëria (pra që shteti paska hequr dorë nga monopoli mbi dijen).
11. Hëpërhë pra, në këto vende doktrina se për universitetin ka më shumë nevojë shoqëria se shteti, është një doktrinë e rreme. Kjo doktrinë, me të njëjtën skemë, bëhet nga e rreme e vërtetë, vetëm më një kusht të thjeshtë: në një vend ku paraja brenda sistemit universitar është për çdo rast minimale. Me një financim minimal, me të njëjtën skemë, nuk mund të ketë diferencë reale mes universiteteve elitë (për të cilat fshehtas do të kishte nevojë shteti) dhe universiteteve të ngrata (për të cilat haptazi do të kishte nevojë shoqëria) e për pasojë, për herë të parë, do të formalizohej (do të formalizohet) një shtet-komb, ku shteti nuk ka nevojë më për universitetin (ky shtet-komb është pikërisht Shqipëria, tani).(Mos harrojmë që suksesi i shteteve moderne ka qenë i lidhur me konsolidimin e skemës shtetkomb – dije shkencore (universitare).
12. Siç në fakt nuk ka pasur nevojë këto 25 vjet: shteti shqiptar në këto vite ka pasur nevojë për universitetet – placebo. Prandaj, edhe pse ia ka qëlluar diagnozës, shteti nuk kërkon shërimin, por simbiozën e organizmit me sëmundjen.
13. Prandaj kjo reformë është një eksperiment, por jo me qëllim të verifikimit të hipotezës, por të modelimit të realitetit, pra një eksperiment social me qëllim preciz dhe joutopik.
14. E duke qenë se fajtori kryesor për gjendjen që e legjitimon (ndikimi i dobët i universiteteve në mbarëvajtjen e këtij vendi dhe kësaj shoqërie – kjo e legjitimon) këtë eksperiment është profesorati i universiteteve shqiptare, atëherë pasi reforma që prej sot miratohet, profesorati ka vetëm dy mundësi: ose ta pësojë këtë eksperiment si kavja, ose të bëhet i vetëdijshëm që kjo është mundësia e fundit dhe si e tillë, të shfrytëzojë mundësinë e vetme që i mbetet: të jetë njëherazi kavja dhe eksperimentbërësi.
15. Dhe nga mënyra sesi profesorët universitarë kanë reaguar deri tani, për fat të keq, duket të kenë zgjedhur pozicionin e kavjes (protesta e vetme e kavjeve po të shprehej do të ishte patetike: po më asgjëson ngaqë jam i dobët), pozicion i cili konfirmon doktrinën shtetërore që mbështet këtë reformë (po të mos ishte fjala për kavje njerëzore, shteti nuk do të ngurronte ta shpallte: po ju asgjësoj ngaqë jeni të dobët).
16. Është e vërtetë se për çdo rast, qëndrimi i profesoratit do të bëhej nga pozicioni i kavjes (paaftësia e dëshmuar për ta ndihmuar këtë shoqëri dhe cinizmi i vetvetishëm i projektligjit nuk u jep mundësi tjetër), por pozita e kavjes pa e ditur këtë (pozita e pavetëdijshme) e zhvendos përfundimisht të drejtën (edhe të drejtën morale) te shteti, kurse adaptimi me stoicizëm i dijetarit që eksperimenton në radhë të parë me veten, do t’i jepte mundësi profesoratit shqiptar, që në një të ardhme të arsyeshme, ta përgënjeshtronte doktrinën shtetërore të projektligjit dhe reformës për arsimin e lartë.
17. Por që kjo të ndodhë, që të jetë njëherazi ai që bën eksperimentin dhe kavja, profesorati shqiptar duhet më në fund të ketë dhe ai një doktrinë që fillimisht të legjitimojë statusin e vet e më pas të pretendojë ta formalizojë këtë status në legjislacion.
18. E në kushtet kur doktrina shtetërore qëlloi të jetë korrekte, sepse me të vërtetë në këtë vend – në këtë moment, shteti nuk ka nevojë për universitetin, vetëm në pastë shoqëria, atëherë profesorati do të pajtohet me semantikën e kësaj doktrine, por duke i dhënë një vlerë tjetër: nëse është kështu, aq më keq për shtetin.
19. Këtë vlerë kësaj doktrine, rendi i profesorëve universitarë shqiptarë mund t’ia japë vetëm nëse provon fillimisht të pësojë (të vuajë) së bashku me shoqërinë këtë zhvlerësim historik të universitetit, pra të përllogarisë se është e drejtë të dëmtohen ata vetë të parët si sebeptarë të rënies së universiteteve. Dhe kjo gjendje pësimi nuk është më e keqja, por një gjendje e ndërmjetme prej ku mund të nisim mëkëmbjen e universitetit shqiptar.
20. Një propozim sesi kjo mund të ndodhë, autori i këtyre radhëve e ka dhënë te “Shkenca”, botuar në këtë gazetë, më 10 qershor të këtij viti, ku si hap i parë, jo më i miri, por më i mundshmi, është shtirja e profesorit universitar sikur dija e tij, megjithëse ende racionale, mund të transmetohet vetëm aksidentalisht, siç ndodh me besëtytnitë. Kjo shtirje do t’ua ruajë profesorëve intuitën dhe gjallërinë intelektuale (pa e humbur mundësinë e zotërimit të një dije sistematike), cilësi që do t’u duhen, kur herët apo vonë, shoqëria do të ketë nevojë për universitetin jo si placebo, por si institucion ripërtëritjeje shpirtërore.
21. Për të mbërritur këtë kulminacion profesorit universitar që nga nesër i duhet të niset nga pozita e dijetarit që eksperimenton mbi veten. Sesi ky pozicion mund të tejkalohet dhe një ditë ai të eksperimentojë idetë (p.sh. duke falsifikuar dështimin e tyre sipas epistemologjisë së Poperit) duhet ngeja e një shkrimi tjetër (ndoshta mbi nevojën e një doktrine për universitetin shqiptar, konceptuar nga profesorati shqiptar).
22. (Ambiguiteti i pozicionit të grupit të vogël të profesorëve që hartuan projektligjin reformues të arsimit të lartë nuk u trajtua këtu, meqenëse ka rëndësi vetëm për ata vetë. Megjithatë, s’mund të mos sugjerojmë se atyre, jo tani por që në fillim, u është dukur komode të zgjedhin njërin prej këtyre statuseve: ose janë përbrendësuar te shteti, duke e bërë si pjesë të tyren doktrinën e ligjit; ose nuk e kanë pikasur diferencën e aplikimit të skemës anglosaksone në një shtet të varfër; ose kanë përllogaritur që do të jenë me fat si profesorë të universiteteve që, sado i pakët përfitimi (pak – jo hiç), do të orientohet drejt tyre dhe do t’u mjaftojë të zgjatin dorën).
Rudian Zekthi
Panorama | 21 Korrik | 2015