- Një nga revizionimet krye sore që i bëri postmodernia modernes, është përgënjeshtrimi i pretendimit se individi është i vetëmjaftueshëm. Përkundër kësaj vetëmjaftueshmërie, tashmë është shumë më e besueshme e kundërta, pra që individi është ontologjikisht një komponim, sepse vetja e pastër nuk ekziston si e tillë.
Pra vetja dhe tjetri shfaqen në të njëjtën kohë, nuk mund të ekzistojnë pa njëri-tjetrin, duke e tendosur imanencën e njëri-tjetrit. Pa këtë imanencë zanafillore, vetja nuk mund të përftohej dot përmes asnjë lloj transferimi (transhendimi), që e thënë ndryshe do të thotë se vetja karakterizohet medoemos nga të qenët akut, këtu dhe tani (në imanencë) dhe jo medoemos karakterizohet nga të qenët përtej, në një pezullim të imanentes (në transhendencë).
2. Kjo imanencë do të thotë gjithashtu se vetëm të qenët e ndryshme të tjetrit (pra vetjakësia e tij) e bën të pashmangshme të qenët të ndryshme të vetes (pra vetjakësinë e saj). Kështu, është imanenca (që megjithëse të ndryshme) u jep të njëjtën natyrë (të njëjtën mënyrë të qeni, edhe vetes si vete, edhe tjetrit si vete tjetër).
3. Për sa kohë të qenët e tyre shtrihet në imanencë, pra vetja dhe tjetri i japin garancinë e të qenit njëri-tjetrit pa pasur nevojë për asnjë kusht tjetër, atëherë çështja e marrëdhënies mes tyre është çështje e fuqisë dhe indiferencës: tjetri ose do të dominohet, ose do të durohet, ose do të shpërfillet (bashkëpunimi i çinteresuar, vetëndreqja, standardi, janë të pamundshëm).
4. Këto mund të bëhen të mundshëm, vetëm nëse, përveç vetes si e para dhe tjetrit si i dyti (të dy si vetjakësi imanente), ekziston potencialisht edhe tjetri i tretë, po e quajmë (edhe pse po kështu e kanë quajtur) publiku, i cili përfaqëson një vetjakësi të një lloji tjetër, të një rendi tjetër nga ai i dy vetjakësive të para.
Publiku është tjetri i tretë, jo i pranishëm, por herët a vonë, në një mënyrë a në një tjetër, i përfytyrueshëm. Kështu që karakteristika e tij bazë është që ai nuk ka nevojë për imanencën që të jetë, sepse ekziston paraprakisht i transhenduar.
5. Në të vërtetë, vetëm i transhenduar: ai s’ka pse të jetë asnjëherë këtu dhe tani, në imanencë, dhe s’ka asnjë mundësi në këtë botë të jetë, nëse imanenca mbetet e vetmja e përhershme. Por sapo imanenca tejkalohet nga përfytyrimi i tjetrit të tretë vetetjetër, ky i tretë ekziston në mënyrë përfundimtare: nga ai çast e pas ai kushtëzon gjithë ç’është e ç’ndodh në imanencë (jemi të vetëdijshëm që po interferojmë në provën ontologjike të Anselmit dhe Dekartit, pra këto pohime tonat këtu nuk duhen parë si lajthitje, por si kthjelltësi).
(Duam të themi se teoritë e sotme mbi publikun, ku të qenët imanent apo i përfytyruar nuk e kushtëzon mundësinë e tij të ekzistencës, hedhim një dritë vërtetësie të papritur mbi argumentin ontologjik).
6. Por për të vazhduar më tej: ky transhendim i të tretit e zhvlerëson bindjen se vetjakësia është vetëm e të njëjtit rend (pra vetëm vetjakësi imediate imanente e vetes ngjashëm me tjetrin), duke ofruar një vetjakësi të re, të një rendi tjetër, e paparaprirë, e pandërmjetësuar nga ndonjë model, por e dhënë paraprakisht dhe në mënyrë përfundimtare, e pakushtëzuar nga imanenca e vetes dhe tjetrit dhe kushtëzuese ajo vetë e imanencës së vetes dhe tjetrit
7. Për pasojë marrëdhënia mes vetes dhe tjetrit nuk përmbushet më vetëm si rivalitet (për ta dominuar), apo si klering (për të përftuar vetëm ata të dy), apo si flegmatizëm (për ta shpërfillur tjetrin). Prania e të tretit të transhenduar nxit një tejkalim të rivalitetit, kleringut apo flegmatizmit, duke e implikuar veten dhe tjetrin që marrëdhënia mes tyre të përfshijë edhe të tretin e transhenduar.
Dhe në momentin e përfshirjes së tij (atij që ne këtu po e quajmë që prej fillimit publik), atëherë marrëdhënia mes vetes dhe tjetrit, sido të shkojë puna, do t’i duhet medoemos të konceptohet si një homazh për vetjakësinë superiore të publikut, si tjetri i tretë.
8. Sepse publiku është shprehje e nevojës së vetes për ta përfytyruar tjetrin, pa u mjaftuar vetëm me fakticitetin e të pasurit të tij përballë.
Mirëpo, në qoftë se imanenca është e pandërprerë, atëherë mundësia për ta përfytyruar vetja (si i pari) tjetrin (si i dytë) është zero; për pasojë e vetmja mundësi për veten për të përfytyruar një tjetër, është tjetri i tretë dhe jo tjetri i dytë. Rendet janë të ndara: tjetri i dytë ekziston vetëm në imanencë, kurse tjetri i tretë ekziston vetëm në transhendencë (dhe që ta transhendosh të dytin të duhet ndërmjetësimi i të tretit).
9. Kjo mënyrë e të qenit të publikut (pra ekziston pa qenë e domosdoshme prania e tij imediate) nxit si nevojë ruajtjen e vetjakësisë së tij si një zonë të re përgjegjësie në marrëdhëniet mes vetes dhe tjetrit, zonë që po e quajmë publikja, që si e tillë i ripërtërin relacionet mes vetes dhe tjetrit, nëse prej një aksidenti apo tropizmi (si i pari dhe i dyti) humbasin shijen apo favoret e imanencës.
10. Nevoja e perceptimit të tjetrit të tretë nisur nga pamjaftueshmëria e kontaktit në imanencë me tjetrin e dytë, nuk është njësoj e thekshme te të gjithë pjesëtarët e një shoqërie, sepse kërkon një dhunti përfytyrimi të lartë që mund ta kenë vetëm një pjesë e zgjedhur, ato që quhen elitë.
Dhe për më tepër, elitat e bashkësive të ndryshme nuk kanë të njëjtin intensitet të këtij përfytyrimi të lartë, çka mund të shpjegojë edhe diferencat mes bashkësive a popujve të ndryshëm.
Në këtë perspektivë e paraqesim ne problemin kryesor të elitës shqiptare: ajo me sa duket nuk ia ka dalë, sidomos që nga momenti që u kërkua vetëdija e ekzistencës së shqiptarëve si një popull, që të kultivojë si nevojë të gjithmbarshme për shoqërinë, nevojën e përfytyrimit të tjetrit të tretë, duke lejuar që marrëdhënia vetetjetër të konsumohet vetëm në imanencë (që do të thotë, thamë më lart: rivalitet, klering, flegmatizëm).
11. E thënë kështu tingëllon shumë e thjeshtëzuar dhe e tillë është, madje tingëllon e pabesueshme: si mundet (a mundet) që imanenca të jetë kaq e përhershme, pa u rrezikuar nga asnjë fluks transhendimi?
Sepse me të vërtetë është e pamundshme, pasi herët a vonë, rrallë apo shpesh, fuqia e përfytyrimit do të shkapërcejë rrafshin e imanencës, vetëm se këto flukse transhenduese mund të komprometohen nga çasti në çast.
12. Çfarë kemi parasysh më këtë mundësi komprometimi? Më lart ne thamë që tjetri i dytë ekziston vetëm në imanencë, kurse tjetri i tretë vetëm në transhendencë. Këto janë dy limitet e spektrit të të qenit të tjetrit, sepse midis tyre kemi edhe lloje amfibe të tjetrit, pra herë imanent, herë transhendent, siç është rasti i kategorive të mikut dhe armikut.
Miku është tjetri i dytë me imanencë të përputhshme me atë të vetes, i cili kur del nga kontakti imediat vazhdon të ekzistojë i përfytyruar–transhenduar; ndërsa armiku është tjetri i dytë me imanencë antagoniste me atë të vetes, i cili kur shkëputet nga kontakti imediat, vazhdon të ekzistojë i përfytyruar-transhenduar.
13. Që të dy, edhe miku, edhe armiku, përmes natyrës së tyre amfibe, konfirmojnë vetiu fuqinë për të përfytyruar tjetrin duke ushqyer me lugë të zbrazët nevojën thelbësore të qenieve njerëzore për të pasur mundësi kontakti me tjetrin jo vetëm përmes fakticitetit të imediates, por edhe përmes një transhendimi përmes përfytyrimit.
Pasojat e marrëdhënieve me mikun apo armikun përveç funksionit të tyre për sukses dhe mbijetesë, paskan pra edhe një funksion mbishënjues: ofrojnë përvojën e transhendimit të tjetrit të dytë, duke luajtur rolin e simulakrës së publikut, si tjetri i tretë.
14. Pra, në ato shoqëri ku elita nuk ka fuqi të mjaftueshme përfytyrimi të lartë për të garantuar në vijimësi praninë e publikut dhe publikes, përvojat e mikut dhe armikut distilohen në të gjitha nivelet e shoqërisë, duke zëvendësuar nevojën e tjetrit të transhenduar, jo më te tjetri i tretë (publiku), por te tjetri i dytë.
15. Përvoja transhenduese që vjen nga përfytyrimi i vazhdueshëm i tjetrit të dytë si mik apo armik, vërtet dëshmon pamjaftueshmërinë e imanencës, por e bën këtë duke shërbyer sidomos si premisë për zotërimin në shoqëri të kulturës së grupit, apo klanit si klub miqsh (e cila që të lulëzojë nuk ka përse t’i kundërvihet tjetrit apo të tjerëve të transhenduar si armiq, i mjafton për kundërvënie tjetri imanent si rival, si ortak apo si i pavlerë).
Vetëm se shoqëria si strukturë me klube miqsh lulëzon në kushtet kur paraprakisht është censuruar deri sa është zhbërë nevoja për publikun, tjetrin e tretë, i vetmi tërësisht i transhenduar.
16. Miku pra, nuk nxit publiken si sferë të angazhimit mes vetes dhe tjetrit, publiken si shprehje të respektit për çfarë nuk është imanente, por nxit zgjatimin e vetjakësisë së vetes te tjetri i dytë. Në këtë mënyrë, siç e thamë, miku apo miqtë, vetëm pjesërisht me natyrë të transhenduar, nuk nxitin një ripërtëritje mes vetes dhe tjetrit, por, përkundrazi, përfshihen në skemën e varfër të rivalitetit, ortakërisë dhe përçmimit.
17. Në të kundërt, përvoja e armikut rrallë ndërtohet brenda shoqërisë mes pjesëtarëve të saj dhe shërben si simulakër e nevojës për transhendim, në marrëdhënien e shoqërisë dhe pjesëtareve të saj me tjetrin e huaj apo të largët apo të keqnjohur. E praktikuar kështu, kjo përvojë vetëm se plotëson, si përvojë shpërdoruese e nevojës për transhendim, atë që lë mangët përvoja kapilare e mikut.
18. Një shoqëri e tillë e pafuqishme për të përfytyruar publikun si tjetrin e tretë është gjithmonë dhe gjithandej e mundshme dhe, posaqë gjendet në këtë situatë degjenerative, përballet me nevojën për të kuptuar shkaqet e rënies dhe rrugët e ripërtëritjes. Këtë nevojë për kuptim sigurisht nuk mund ta marrë kush përsipër përveç se elita, e cila duhet të zbulojë tjetër lloj atë që nuk e zbuloi për shkak të mehjes së fuqisë së vet të përfytyrimit të lartë.
Tjetër lloj në këtë rast, si rregull do të thotë, që elita duhet të njohë arsyet e suksesit të atyre shoqërive të cilat japin përshtypjen se nuk janë prekur nga kjo situatë degjenerative.
19. Dhe mund të operojmë për momentin me tezën se elita shqiptare e shtetit-komb, është gjendur pa ndërprerje këto njëqind vjetët e fundit në këtë situatë: në kërkim të ringritjes së bashkësisë së vet përmes zbulimit të formulës që i ka mundësuar mbarësinë popujve të tjerë, në këtë rast vetëm popujve perëndimorë.
Dhe e kanë kërkuar këtë formulë duke studiuar apo edhe duke jetuar gjatë në këto vende, në kushte të tilla si më lart: pa qenë të vetëdijshëm që defekti strukturor i shoqërisë sonë është mungesa e tjetrit të tretë të transhenduar; prandaj nuk kanë shkuar atje të qartë për të gjetur dispozitivat e realizimit në këto shoqëri të këtij tjetri të tretë (dhe në këto rrethana, do të thotë të kërkosh duke u shndërruar vetë kërkuesi prej kërkimit).
20. Pra, pjesëtarët e elitës shqiptare në kërkim të formulës së ringritjes së bashkësisë amë, kanë shkuar në vendet që besohet se zotërojnë këtë formulë dhe për ta marrë atë si tekst, si teori, si doktrinë, u është dashur të heqin dorë (të shkulen) nga përvojat dhe kultura amtare dhe të rimbillen në kulturën e vendit pritës, sepse vetëm përmes kësaj rimbjelljeje mund të pikasin së brendshmi potencialisht sekretin e mbarësisë së tyre.
Në këto kushte, nëse ia dalin të klimatizohen, mundësitë janë të kufizuara: ose konvertohen tërësisht në këtë kulturë duke e braktisur origjinën e tyre (që është njëherazi origjina e dështimit të tyre), ose kthehen në bashkësinë e tyre me kulturën e re të përvetësuar vërtet, por pa ia dalë që të jenë prapëseprapë të qartë për burimin doktrinor të kësaj kulture, ose në rastin optimal me kulturë të përvetësuar dhe doktrinë të qartë.
21. Në të dyja këto rastet e fundit, pjesëtarëve të elitës do t’u duhej njëlloj një klimatizim i dytë: do t’u duhet të rishkulet nga kultura e posasimiluar prej tij dhe të ririmbillet edhe një herë në kulturën amë, sepse nëse nuk e ka gjetur formulën ky riklimatizim është potencialisht mundësia e tij e fundit për ta gjetur, apo nëse e ka gjetur formulën, do t’i duhet ta inseminojë atë nga brenda.
22. Brenda kësaj hipoteze, ne mund të konfirmojmë se rasti më i mirë ende nuk ka ndodhur me elitën shqiptare, pra rasti i klimatizimit kulturor dhe përmes tij zbulimit të formulës doktrinore. Sepse po të kishte ndodhur, do të kishin punuar mes nesh të paktën me dy formula të tilla, që mos harrojmë, do të ishin për çdo rast formula të përfytyrimit të tjetrit të tretë të transhenduar.
23. Formula e parë është ajo kantiane, e cila themelin e veprimit të vetes e sheh te transhendimi i saj (vetes), duke e përfytyruar atë si një qenie tërësisht racionale, që përtej çdo imanence, i nënshtrohet vetëm arsyes.
(Imperativi kategorik i Kantit: “Vepro vetëm sipas asaj maksime që do të pranoje të shndërrohet në ligj universal”, nënkupton që vetja është e tillë, tërësisht racionale, duke e transhenduar atë e duke ia mbivendosur në njëfarë mënyre tjetrit të tretë; duke mos u nisur nga publikja për të ripërtëritur veten, por duke e shkrirë veten te publikja. Për aq sa nuk është utopi, kjo formulë plotësohet edhe me transhendimin e tjetrit (jo më si mik/armik)), por si qëllim në vetvete dhe në thelb është formula bazë e elitave europiane në moderne, për të përmbushur përvojën transhenduese të tjetrit të tretë.
24. Formula e dytë është me siguri ajo hegeliane, për aq sa edhe konceptet kyçe deri më tani të vetes dhe tjetrit janë me origjinë hegeliane dhe për aq sa përmes mohimit, kapërcimi dhe transhendimi janë akti bazë i mendimit të tij për të bërë të mundshme vetëvetëdijen dhe njohjen.
Duke e thjeshtëzuar pamasë mendimin e Hegelit, tregojmë këtu që formula e tij bazë për të tretin e transhenduar, e aplikuar në dy perspektiva, manierizon po ashtu si Kanti mundësinë e transhendimit të vetes (si filozof) në raport me shkallët e njohjes dhe shfaqjes së shpirtit, derisa vetja njësohet me qenien hyjnore; dhe në raport me shoqërinë, kulturën dhe stadet e historisë, ku transhendimi i vetes kulmon me njësimin e saj me shtetin absolut.
Në të dyja rastet, si qenia hyjnore, si shteti absolut, janë në mënyrë autentike realitet i tjetrit të tretë të transhenduar dhe për sa i përket shtetit absolut, ai përfaqëson formulën bazë në funksion të masave në shoqëritë europiane moderne, për të përmbushur përvojën transhenduese të tjetrit të tretë.
25. Nuk i kemi parë elitat shqiptare t’i kenë zbuluar këto formula të tjetrit të tretë të transhenduar, e për pasojë maksimumi që kanë mbërritur është të kthehen të mbrujtur me një kulturë të re nga vendet ku kanë kërkuar sekretin e mbarësisë, por pa doktrinën që e ka përftuar këtë kulturë, doktrinë pra në themel të së cilës qëndron formula e tjetrit të tretë të transhenduar dhe publikes si angazhim i vetes dhe tjetrit të dytë, ndaj këtij të treti.
26. Në këtë mënyrë, ata kanë qenë dhe janë të paaftë, për së dyti, për ta zgjidhur problemin bazë të shoqërisë së vet (problemin e tejkalimit të imanencës si e vetmja gjendje mes vetes dhe tjetrit). Por kultura e re e përftuar u jep iluzionin e kundërt se e gëzojnë këtë aftësi dhe si provë marrin shpërndërrimin e tyre, provë e pamjaftueshme sepse askush s’mund të dëshmojë për veten.
Mirëpo, pavetëdijshmëria e gjendjes së vet i bën që ta shpërfillin këtë pamjaftueshmëri dhe të bëhen në mënyrë të trishtueshme qesharakë, duke bërë ex cathedra, të njëjtat gabime të bashkësisë që duan të ndreqin: konfondimin e publikut (si tjetri i tretë i transhenduar), me surrogatet e tij mik/armik.
27. Transhendime konfonduese që e shtojnë edhe më tepër iluzionin e formulës adekuate, duke mos u zbatuar brendapërbrenda shoqërisë, por gjeopolitikisht në një lloj folklori qytetërimor, duke transhenduar gabimisht si mik Perëndimin (gabimisht në këtë rast është transhendimi dhe jo Perëndimi) e duke transhenduar gabimisht si armik Lindjen (gabimisht edhe në këtë rast është transhendimi dhe jo Lindja), (mos harrojmë edhe njëherë që ky konfondim iludohet me dëshminë e pjesëtarëve të elitës për veten që, meqë është e tyrja, nuk është imanencë-imanenca, por transhendecë).
Rudian Zekthi
Panorama | Qershor 2016