“Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kijametit do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: O Zoti im, pse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë? Do t’i thotë: Kështu të erdhën shenjat Tona, e ti harrove ato, e po kështu do të jesh sot i harruar. Kështu e dënojmë Ne atë që e tepron dhe harron shenjat e Zotit të vet; e dënimi në botën tjetër, në të vërtetë është mi ashpër dhe më i qëndrueshëm.” Surja Taha, ajetet 124 – 127.
“Secili prej jush, nëse e sheh një të keqe, ta ndryshojë atë me dorën e tij, e nëse nuk mundet me dorë, ta bëjë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet as me gjuhë, të mbajë qëndrim kundërshtues me zemrën e tij, porse ky është imani më i dobët.” Sahihu i Muslimit (transmetuar nga Ebu Said el Hudri).
I kemi sjellë bashkë këtu, sepse këto ajete dhe ky hadith ne besojmë se dëshmojnë ndër të tjera për karakterin imediat të së drejtës, për natyrën e saj ndërvepruese të drejtpërdrejtë. Dhe në vazhdim do të përpiqemi të tregojmë se menjëhershmëria është cilësi bazë e të vërtetës, se pa menjëhershmërinë (imediatizmin) e saj, e drejta praktikisht humbet themelin ku mbështetet dhe rrezikon praktikisht të bëhet e pamundshme, pra rrezikon të zhduket.
1.E drejta dhe e vërteta
Kur kemi folur më parë për historinë e Musait a.s. me Hidrin, ne e shpjeguam neutralitetin emocional të Hidrit ndaj ndodhive ku ato të dy u përfshinë, si shprehje të faktit që ai ishte Përmbarues i Caktimit të Zotit, ndërkohë që e gjetëm të natyrshëm mospërmbajtjen dhe reagimin e Musait a.s., si shprehje të faktit që ai ishte qenie njerëzore dhe (si profet) qenie e epërme morale, e obliguar të reagojë kur përballet me padrejtësitë. Por çfarë ndodhi mes atyre të dyve ka kuptim edhe më: vetëpërmbajtja dhe siguria e Hidrit ka të bëjë me faktin se ai e njihte kuptimin përfundimtar të atyre fakteve, përkatësisht të vërtetën apo vlerën e padyshimtë të gjërave, ashtu siç ata janë në Dijen Absolute të Zotit; ndërsa mospërmbajtja dhe reagimi imediat i Musait a.s., ka të bëjë me faktin që edhe pse ai nuk e njihte këtë të vërtetë (apo më saktë, nuk mund të ishte i sigurtë për të), ai ishte i sigurtë për çrregullimin e gjërave, pra sesi para syve të tij prishej ekuilibri i dhënë i mbështetur mbi mirëbesimin.
E duke qenë se simetria dhe ekuilibri janë cilësi të së drejtës, mund të konkludojmë se dallimi në sjellje mes Hidrit dhe Musait a.s., është në thelb dallim mes natyrës së të vërtetës dhe natyrës së të drejtës: e vërteta do gjithnjë kohë që të konkludohet dhe ka gjithnjë mundësi të mos pranohet a të hidhet poshtë, pra dakordësia për të do gjithmonë një kohë të papërcaktuar, papërcaktueshmëri që do të thotë se e vërteta as nuk mund të imponohet, as nuk garantohet medoemos prej mirëbesimit dhe vullnetit të mirë; e për pasojë marrëdhëniet mes njerëzve mund të funksionojnë edhe në kushtet e të vërtetës ende të paunifikuar.
Në të kundërt, e drejta është e dhënë paraprakisht si shprehje e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit minimal mes pjesëtarëve të një bashkësie, gjë që bën që si rregull drejtësia të jetë gjithsesi çështje imediate (d.m.th. çështje e reagimit menjëherë ndaj çdo luhatje e aq më tepër ndaj çdo prishje të ekuilibrit, si prishje e mirëbesimit publik); pra duke qenë se humbja e simetrisë dhe ekuilibrit është diçka që vërehet me të parën, kjo do të thotë se humbja e së drejtës vërehet me të parën, gjë që kërkon me urgjencë mbajtje qëndrimi ndaj humbjes së ekuilibrit, në të kundërt marrëdhëniet mes njerëzve në shoqëri dëmtohen dhe shoqëria çrregullohet. (Mos harrojmë se dëshmia më e fortë për ekzistencën e Krijuesit Absolut është rendi apo ekuilibri kozmogonik, sepse në fakt sensi i ekuilibrit i paraprin aftësisë së njeriut për të kuptuar). (Pra ndërsa e vërteta as nuk mund të imponohet, as mund të negociohet në mirëbesim, përkundrazi, e drejta duhet të imponohet pikërisht në emër të vullnetit të mirë dhe mirëbesimit; sepse pa praninë e së drejtës, këto dy të fundit zhduken. E thënë ndryshe, ndërsa negocimi për të vërtetën edhe nëse do të dëshirohej thjesht është i pamundshëm, përkundrazi, negocimi për të drejtën është gjithmonë i mundshëm, por përherë i padëshirueshëm.)
Pra ndërsa e vërteta mund të jetë edhe imediate, por si rregull është refleksive dhe rimarrëse e i duhet kohë për t’u përbrendësuar, e drejta edhe nëse duhet kohë (si rregull kohë proceduriale) për ta dëshmuar, si rregull as nuk mund të arrijë në fazën e dëshmimit, nëse nuk ekziston përvoja e perceptimit imediat të prishjes së ekuilibrit dhe e nevojës imediate për ta rregulluar menjëherë ekuilibrin e prishur. (E vërteta mund të përmbushet po ashtu imediatisht, por kjo është opsionale dhe jo rregull, sa herë që ndodh ndodh përmes intuitës që e rrok vetëtimthi, por intuita është e herëpashershme dhe jo e përhershme; kurse përmbushja imediate e të drejtës nuk ka të bëjë me intuitën dhe paparashikueshmërinë e saj, por me perceptimin standard të qenieve njerëzore, atë që ndryshe quhet common sense – niveli bazë i njohjes praktike që na mundëson të marrim të mirëqenë gjërat e domosdoshme.)
2. E drejta dhe komunikimi
Po ashtu ku, në ligjëratën tonë për Reciprocitetin, ne thamë se komunikimi si rregull mund të përmbushet edhe në mënyrë imediate – të drejtpërdrejtë, por edhe në mënyrë të zhvendosur përmes cezurave dhe pauzave që shërbejnë si kohë akumulimi, adaptimi, azhurnimi e për fat të keq, edhe manipulimi. Por po aty (por edhe tek “ Laicizmi i pamundshëm”) ne thamë se përkundër kësaj natyre të dykohëshme të komunikimit, Zoti ka zgjedhur të komunikojë me ne drejtpërdrejt – imediatisht, siç dëshmon çfarë dimë se është Kurani; dhe po ashtu Zoti na ka vendosur standardin (siç kemi thënë tek “Leximi me Zë” dhe “Esbabi i Ebu Bekrit”) që përmes Kuranit që është Fjala e Tij në dispozicionin tonë, të lakmojmë komunikimin imediat si qëllim, të cilit komunikimi akumulativ i shërben thjesht si mjet.
Dhe thelbi i reciprocitetit si mënyra e zgjedhur nga Zoti në komunikimin me krijesat e Tij, ka të bëjë me faktin se pavarësisht Epërsisë së Tij Totale dhe Kontrollit të Tij Total, Ai vendos të komunikojë me ne në mënyrën bazë tonën, në atë imediate, që është në të vërtetë kompensimi ynë për dobësinë dhe pamjaftueshmërinë tonë.
Dhe njësoj si në rastin e komunikimit, edhe e drejta thelbin e saj e bart tek niveli i përmbushjes imediate, pra niveli i të drejtës proceduriale dhe institucionale janë shumë të rëndësishme, por kulminacioni i tyre nuk është thjesht garantimi i drejtësisë rast pas rasti, por garantimi i standardit që garanton higjienën e domosdoshme për të lulëzuar common sensi, si aftësia e realizimit imediat të së drejtës; e drejta institucionale është thjesht infrastruktura për të bërë të mundshme karakterin imediat të së drejtës si themel i marrëdhënieve njerëzore.
3. Zoti dhe e drejta
Nga gjithë sa thamë, shpresojmë të jetë bërë e qartë edhe ajo çfarë derimëtani nuk e thamë shprehimisht: sa herë që jemi të urdhëruar prej Zotit në Kuran për të bërë punë të mira, kjo në thelb do të thotë se jemi të urdhëruar për drejtësi (sepse puna e mirë ose rivendos rregullin e prishur të gjërave, ose përforcon rregullin ndërkohë të vendosur), e sa herë që Zoti na urdhëron për drejtësi, standardi i përmbushjes së Këtij Urdhri Hyjnor, kërkon që drejtësia të vendoset imediatisht, sepse ajo ose vendoset kështu, ose rrezikon të mos vendoset fare.
E vërteta është, se po ashtu si në rastin e komunikimit, Epërsia Totale dhe Kontrolli Total i Zotit ndaj krijesave nuk do ta bënin të domosdoshëm përmbushjen prej Zotit të drejtësisë në nivel imediat: askush nuk i shpëton dot Atij, asgjë nuk ndodh jashtë Dijenisë së Tij dhe Drejtësia e Tij, apriori është E Përsosur. Mirëpo, njësoj si në rastin e komunikimit, edhe në rastin e së drejtës, Zoti ka vendosur reciprocitetin si mënyrë të realizimit të së drejtës me njerëzit, për t’i mundësuar njerëzve zhvillim të plotë të personaliteti të tyre në përputhje me natyrën e tyre (që Ai vetë ua ka dhënë). Dhe reciprociteti, njësoj si në rastin e komunikimit, edhe në aspektin e së drejtës, nënkupton përparësi të imediates si bazë e natyrës njerëzore, pra Zoti megjithëse do të ndajë Drejtësi Absolute në Ditën e Gjykimit për të gjithë krijesat, po ashtu ka përcaktuar si ligj përmbushjen e drejtësisë në nivel imediat, në përputhje me natyrën njerëzore.
Kjo menjëhershmëri e përmbushjes së të drejtës ndodh në dy nivele që plotësojnë njëri – tjetrin:
Së pari, edhe pse mund të mos vërehet nga publiku, të gjithë keqbërësit ndëshkohen që në këtë botë për zullumet e tyre (mjafton të përmendim si fakt universal të kohës sonë, që sa më shumë rritet mirëqenia dhe facilitetet mondane, aq më tepër shfaqet zbraztësia dhe depresioni). Këtë Zoti e dëshmon edhe drejtpërdrejt në ajetet e sures Taha: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime do të ketë jetë të mjeruar…”
Së dyti, njerëzit janë të urdhëruar për drejtësi imediate, pa negociim, si kusht për mbarëvajtjen e shoqërisë dhe zhvillimin e përmirësimin e pjesëtarëve të shoqërisë. Ky pra është urdhër dhe jo thjesht këshillë, sepse është ligj dhe jo thjesht opsion: ngaku vjen që Zoti na premton të na ndihmojë vetëm nëse sillemi në përputhje me natyrën tonë e ta ushtrojmë të drejtën në përputhje me menjëhershmërinë e saj (pra Zoti ndërhyn imediatisht si palë me besimtarët dhe në përgjithësi me njerëzit e drejtë, për të vendosur drejtësinë drejtpërdrejt, duke përmbushur drejtësinë në atë nivel që është karakteristikë bazike e krijesave).
Por këtë përmbushje imediate të të drejtës, dëshmohet se Zoti i Madhërishëm e kryen pandërprerë, deri sa pa ardhur Dita e Gjyqit të Fundit. Kështu nga çfarë dimë sipas Kuranit dhe Hadithit, sapo njeriut i merret shpirti i deklarohet nga engjëjt fati i tij si i shpëtuar apo i dënuar; kur shpirti i të vdekurit ngjitet për në qiell para se t’ i atashohet trupit në varr, në Dyert e Qiellit ka po ashtu një deklarim imediat të asaj që atë tashmë e pret; kur shpirti kthehet siç thamë në Berzah, besimtarët do të shohin vazhdimisht pamje të Xhenetit ku do t’i vendosë Allahu (e ata luten që Kijameti të ndodhë sa më shpejt), kurse zullumqarët do të shohin vazhdimisht pamje të Zjarrit ku do t’ i dënojë Allahu (dhe ata luten që Kijameti të shtyhet sa më shumë); e kur të ringjallen, Zoti do t’i ringjallë të verbër, që do të thotë:
1. drejtësi imediate për çdo gjendje të re sado tranzitore në të cilën personi kalon,
2. reciprocitet në kryerjen e drejtësisë prej Zotit, sepse jo vetëm që nuk janë njëlloj kur të gjykohen, por besimtari dhe pabesimtari nuk do të jenë njëlloj në asnjërën prej etapave tranzitore në të cilat kalojnë shpirtrat pas vdekjes së trupave.
4. E drejta dhe postmodernja
Vetëdija për karakterin imediat të së drejtës si vetia thelbësore që ia lejon asaj të jetë pikërisht e tillë, e drejtë (pra balancë përmes ndërhyrjes akute – korrigjuese të çdo zullumi dhe dami), është në kohën që jetojmë më tepër në rrezik se asnjëherë më parë. Siç e kemi thënë edhe tjetër herë, Postmodernja ka si themel të saj bindjen se e vërteta është subjektive dhe jo objektive, ndryshepra që e vërteta ndan dhe nuk bashkon. Mbështetja mbi këtë iluzion (se me siguri për nga natyra e saj e vërteta është objektive dhe jo subjektive), çon në bindjen se çdo person ka të vërtetën e vet, e cila është e patransmetueshme dhe për pasojë të vërtetat janë të pabashkëmatshme, nuk mund të asociojnë dot çfarëdo reference. Nga ku pashmangshmërisht arrihet në përfundimin që askush, edhe sikur të dojë nuk mund të gjykojë dot tjetrin (edhe sikur të dojë nuk mundet, sepse s’ka me se ta bëjë gjykimin, përderisa të vërtetat e ndryshme nuk komunikojnë me njëra – tjetrën).
Pra kërkohet që të shmanget mbajtja imediate e qëndrimit ndaj çfarëdo çrregullimi dhe prishje ekuilibri, sepse çfarëdolloj mbajtje qëndrimi është joadekuate, tjetërpërtjetër. Ky refuzim i imediatizmit në përmbushjen e së drejtës, nuk çon thjesht që dikush nuk duhet ta gjykojë dikë pa e njohur mirë çështjen, apo as që dikush nuk mund ta gjykojë dot dikë se nuk është më i keq se ai, jo, pasoja është e pandreqshme: askush nuk mund të gjykojë dot askënd, askurrë, ky është dispozitivi i vetëm normal për banorët e Postmodernes. Provë në lëkurë për ne, sesi mjafton që e drejta të humbë menjëhershmërinë që të humbë përfare, e shoqëria të karakterizohet nga padrejtësia strukturore dhe dhe humbja masive si common sense e drejtësisë në marrëdhëniet njerëzore.
Rudian Zekthi