Brezat
1.
Pasi Allahu i shpëtoi Beni Israilët prej Faraonit, Musai a. s. u tregoi atyre se duhej të shkonin në tokën e premtuar prej Allahut, duke luftuar dhe nxjerrë prej aty popullin ekzistues, që ishte idhujtar. Por Benu Israilët nuk pranuan të zbatonin Planin e Zotit dhe për këtë arsye Zoti i dënoi të enden në shkretëtirë derisa brezi i të rriturve të vdisnin nga vdekja biologjike, dhe vendin e tyre ta zinte brezi tjetër biologjik, pra fëmijët e tyre që lindën dhe u rritën gjatë kësaj kohe në shkretëtirë. Ky brez, me në krye Jusha Bin Nun e mori amanetin e Allahut përsipër, luftoi dhe e fitoi tokën e premtuar. Ky shembull që na tregohet në Kuran, është rasti më ekstrem i dallimit apo kundërshtisë mes brezave, pra rasti kur në fakt nuk bëhet fjalë thjesht për dallim, por për kontradiktë dhe kundërshembull mes brezave. Sepse ky është rasti kur një brez bën punën që i takonte për ta bërë brezi pararendës (i cili ky haptazi dëshmohet i pazoti dhe i dështuar); pra jo thjesht e çon më tej apo e plotëson, apo e korrigjon, çfarë është bërë gabim, por e merr përsipër të tërën një cope.
Fakti që ky është rasti ekstrem në kahun e diferencave, nuk do të thotë se ekziston edhe në kahun e afërsive dhe ngjashmërive diçka si mundësia ekstreme, pra e bashkëpunimit dhe dakordësisë së plotë, pasiqë kjo e fundit është e paracaktuar të jetë e pamundshme, pra mes brezave nuk mund të ketë dakordësi totale: Kjo dakordësi ose është e pandershme, pra degradimi dhe korruptimi i brezit paraardhës kalon vetiu tek brezi pasardhës, ose është e ndershme, por nuk është dot totale, sepse mund të jetë dakordësi për avancim të të njëjtave aspirata bazë, por jo për kushtet dhe mënyrat të cilat detyrimisht – pashmangshmërisht janë të destinuara të jenë të ndryshme.
Duam të themi se brezat i lënë njëri – tjetrit trashëgim botën, por ajo që e quajmë botë është tërësia e institucioneve, tërësia e ngjarjeve dhe tërësia e njerëzve në një kohë (epokë) të caktuar. Siç e kemi thënë edhe herë tjera, duke qenë se ngjarjet janë masa e kohës që rrjedh, pra janë masa e kohës historike, ka gjithmonë ngjarje të reja të panjohura dot paraprakisht, pra drejtpërdrejt gajb, ndërveprimi i të cilave me institucionet dhe njerëzit, i ndikon dhe i ndryshon me siguri institucionet dhe njerëzit. Nëse ky ndikim është aq i fortë dhe i qartë sa të pikaset me të parën, apo përkundrazi është i ngadaltë dhe subversiv, kjo është çështje thelbësisht e rëndësishme, sepse në rastin e një ndikimi eroziv – gërryes pakngapak, institucionet dhe njerëzit nuk arrijnë dot të kuptojnë e llogaritin (e aq më pak të paraprijnë) efektet e ndryshimit permanent historik, e për pasojë përfshihen nga vetëdija e rreme se gjërat janë po njësoj, se asgjë nuk ka ndryshuar dhe për pasojë e kanë gjendjen në kontroll dhe është gjithmonë në dorë të tyre për të ndërhyrë tek rendi i gjërave dhe për të bërë ndryshimet e duhura (që përsa janë të duhurat, janë edhe të rëndësishme, pra kjo vetëdije e rreme, u jep edhe përshtypjen e rreme se janë të rëndësishëm pa bërë asgjë).
Kjo përherë ka për të qenë vetëdije e rreme, për faktin e thjeshtë se kurrë ndërhyrja për të ndryshuar rendin e gjërave nuk lind nga gjendja e kontrollit, kjo thjesht është e pamundshme, madje është e pakuptimtë si bindje (gjendja e kontrollit nxit për konservim dhe jo për ndryshim); përkundrazi ndërhyrja e njerëzve për ndryshim motivohet vetëm si reagim ndaj fluksit të pandërprerë të ngjarjeve të reja dhe ndryshimit të paparalajmëruar që ato sjellin. E thënë ndryshe: ndryshimi është konstantja e historisë, pra e vetmja gjë e sigurtë që ndodh, ndaj çështja nuk është nëse ai po ndodh, por çështja është që besojmë se ndodh vetë pa përfshirjen dhe ndërhyrjen tonë, apo ndodh në ndërveprim me ne, pra i paraprirë, i asistuar dhe i shërbyer prej nesh.
Nëse besojmë se ndodh pa patur mundësi ne ta kushtëzojmë, jemi në një gjendje fatalizmi që na shpie në pasivitet, por kjo sado e dëmshme, është më mirë sesa qëndrimi që po qortojmë këtu, pra që ndryshimi i rendit të gjërave është diçka që mund të ndodhë ose mund të mos ndodhë, e për pasojë kemi komoditetin ta përcaktojmë ne ritmin dhe kohën se kur ta ndërmarrim një iniciativë ndryshimi (ajo pra që më lart e quajtëm vetëdije e rreme) (sepse madje edhe duke mos ndodhur medoemos, mund të vazhdojmë me gjendjen ekzistuese si e vetmja e mundshme).
Kjo gjendje stanjacioni dhe shpërbërjeje është në njëfarë mënyrë konstantja shoqëruese e konstantes së ndryshimit dhe vetëm në të rrallë, njerëzit rrokin qartësinë se ndryshimi është i pashmangshëm, me hir apo pahir rrjedha e kohës ndryshon rendin e gjërave (institucionet dhe mendësitë) dhe e vetmja sjellje e vërtetë është ta paraprish dhe ta orientosh këtë ndryshim drejt hakut dhe dobisë së gjërave. Duke qenë konstante kjo vetëdije e rreme, muslimanët nuk kanë asnjë arsye të pretendojnë se janë të ruajtur nga rënia në kllapën e stanjacionit dhe degradimit, përkundrazi epërsia e të qenit musliman manifestohet parasësgjithash në detyrimin që kanë muslimanët më shumë se kushdo tjetër, për ta luftuar këtë vetëdije të rreme, që shkakton pasojën e keqe të tjetërsimit, pra të pësimit të ndryshimit pa e synuar dhe pa e kuptuar.
Për këtë na tërheq vëmendjen Allahu në Kuran, në suren Hadid, ajeti 16 : “ A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para të vërtetës që ai ka shpallur, e të mos bëhen si ata që u është dhënë libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur”
2.
Në tefsirin e Ibni Kethirit për këtë ajet, përmendet se sipas një transmetimi nga Muslimi, Abdullah Ibn Mesudi r.a. ka thënë se ky ajet ka zbritur kur ata kishin vetëm katër vjet që ishin bërë muslimanë. Ne nuk dimë sesi ta pajtojmë këtë me faktin që Surja Hadidë është një Sure Medinase (përveçse nuk përjashtohet që ajete të veçanta të zbritura në Meke apo Medine, mund të jenë vendosur në sure që në tërësi nuk i përkasin vendzbritjes së ajetit), por edhe duke marrë parasysh që mendimi më i pranuar është që kjo sure ka zbritur mes viteve 4 dhe 5 të Hixhretit (apo midis Uhudit dhe Hudejbijes), rezulton në rastin më të mirë 17 apo 18 vjet pas Fillimit të Shpalljes. Që do të thotë se rreziku që zemrat të ngurtësohen në kundërshtim me shkriftësinë dhe gjallërinë që shkakton tek zemrat një marrëdhënie e afërt dhe e vërtetë me Librin e Allahut, është një rrezik shumë i lartë, që nuk nënkupton rrjedhën e shekujve, por të pak viteve, apo ajo çka mund të jetë më pranë të vërtetës, në rendin e rreth 20 – 25 viteve, çka korrespondon në fakt me shtrirjen e një brezi.
Gjë që na shpie tek teza jonë kryesore këtu, pra se ndryshimi në thelb është ekskluzivitet në nivel brezi, breza të ndryshëm nuk mund të përfytyrojnë ndryshim të njëjtë dhe as nuk mund të përfshihen në një përpjekje të përbashkët a të njëjtë për ndryshim. Sepse siç thamë më lart, si pasojë e ndryshimit të pandërprerë (të panjohshëm dot paraprakisht sepse ndryshimi i tillë procedohet si gajb), çdo brez njerëzor rron në një botë tjetër, apo ndryshe në një rend gjërash të ndryshëm nga brezi para dhe brezi pas tij. Nëse ndryshimi permanent, në rastin e një brezi qëllon të jetë flagrant, pra i fortë, kontrastues, radikal, këtu nuk ka shumë për të zgjedhur, ky brez e sheh si në dritë të diellit se i ka rënë për pjesë një botë tjetër nga ajo që i kanë lënë trashëgim dhe është i dënuar të ndërhyjë e të ndërveprojë me këtë ndryshim në mënyrë që të ruajë realizimin e aspiratave kryesore dhe të ripërtërijë rendin bazë të vlerave tek të cilat beson (e në këtë mënyrë të ruajë koherencën mes botës së lënë trashëgim nga të parët dhe botës që do t’i lerë trashëgim të mbramëve).
Për ta bërë këtë duhet të ruajë qartësinë e të njëjtave aspirata dhe të njëjtave vlera bazë me brezat e tjerë, por ndërkohë të fitojë edhe qartësinë se këto të njëjta aspirata do të realizohen në kushte krejt të tjera, pra me një palë institucione, me një palë zakone dhe me një palë mendje, që janë tjetërlloj ngasa për brezin paraardhës. Zhbirimi i këtyre dallimeve tashmë të ndodhura e të shndërruara në fakt të kryer është detyra kryesore e këtij brezi në përpjekjen që zemrat e tyre të mos ngurtësohen dhe ndryshimi të ndodhë në atë mënyrë që të përputhet me Planin Paraprak të Zotit ( megjithëse njerëzit nuk e njohin paraprakisht këtë Plan, suksesi i tyre korrespondon me mundësinë sesi do ia dalin hap pas hapi të përvijojnë këtë Plan. Në këtë kuptim asnjë brez nuk mund të besojë se i është caktuar të bëjë një jetë komode, ky është thjesht një iluzion, apo ajo që e quajtëm ndërgjejgje e rreme).
Më e keqja, siç thamë është kur ndryshimi permanent në kohën historike të një brezi, nuk është kontrastues dhe radikal, por i imtë, subversiv, i pandjeshëm: ky brez është përballë riskut të lartë ta marrë të mirëqenë se asgjë s’ka ndryshuar dhe se ai gjithmonë ka kohë ( meqë pandeh se varet prej tij) ta shtyjë projektin për ndryshim për më vonë e për pasojë të flejë mendjen, atë që në fakt është zemra, e cila ashtu e fjetur ngurtësohet. Çfarë do të thotë në këtë rast, që zemra ngurtësohet? Do të thotë se ky brez nuk beson se ndryshimi i radhës është detyrim ekskluziv i tij, detyrim të cilin as nuk mund ta shmangë, as ta delegojë e aq më pak as mund ta refuzojë,(për çdo rast do të konsiderohej dështim).
Ky brez, në të rremen e vetëdijes së vetme ku kanë hedhur rrënjë, beson gabimisht (fatalisht) se ndryshimi është një gjë e vetëkuptueshme, e ngadaltë, e tejzgjatur, pa eksese, që shtrihet në histori si fill ndërlidhës i brezave me njëri – tjetrin. Me pandehmën e gabuar se mjafton të ruajnë aspiratat e njëjta që bota të jetë e njëjta dhe përpjekja e njëjtë: kështu ndryshimi ka natyrën e një projekti të pambarimtë me kontributorë që nuk e njohin njëri – tjetrin , por që kjo s’i pengon të supozojnë një dakordësi zanafillore që i bashkon të gjithë brezat në një. Kush beson tek kjo skemë fantastike, duhet të shpjegojë se kujt i tërheq vërejtjen Allahu me ajetin 16 të Sures Hadidë.
3.
Në fakt Historia Profetike dhe Metoda Profetike na dëshmojnë të kundërtën; përpjekja transformuese e Muhamedit a.s. u shtri përgjatë 23 vjetëve, që në thelb korrespondon me kohështrirjen e një brezi, kurse në jetën e Profeti a.s., korrespondon me pjesën e fundit të jetës së tij të ndershme, pra nga mosha 40 deri në moshën 63 vjeç.
E gjithë përpjekja e tij tregon se detyrimin që shoqëria tij të njihte Krijuesin dhe Hakun e Tij, ai e konceptoi si një detyrë ekskluzive që nuk mund ta ndante me faza dhe ta delegonte vazhdimin dhe përfundimin e saj tek pasardhësit. Kjo nuk do të thotë se ajo çfarë ai bëri ishte përfundimtare dhe brezat pasardhës thjesht e ruajtën dhe menaxhuan atë, por do të thotë se ai bëri detyrën e tij: ndërveproi në mënyrë thelbësore dhe maksimale me kapacitetin ndryshues të momentit historik ku jetoi dhe shoqërisë ku bënte pjesë, për të bërë të mundshme që gjërat të ndryshonin në atë mënyrë që asnjë përfytyrim tjetër për një përpjekje dhe rezultat më të mirë, të mos ishte i mundshëm.Çdo brez ka për detyrë pikërisht këtë: të shterojë mundësitë e veta në raport me ndryshimin përmirësues të botës së tyre; kriteri apo prova e të vërtetës për këtë është sesa ia doli që me përpjekjen e vet, ky brez të ketë krijuar kushtet që brezi pasardhës të jetë në kushte optimale jo për të mbijetuar, por për t’u zhvilluar, pra për të realizuar i vetëm ( ky brez tjetër) një hop transformues në botë, i cili hop ekzalton edhe më aspiratën e njëjtë por jo përpjekjen e njëjtë.
Mjafton që një brez të mendojë se përpjekja e tij për ndryshim nuk është ekskluzive dhe mjafton të besojë se mjafton se aspirata e njëjtë është detyrim për përpjekje të njëjtë, apo të besojë se prova e të vërtetës për çfarë bëri është ruajtja e të njëjtës pozitë për brezin pasardhës, (mjaftojnë këto iluzione) që ai si brez të ketë kompromentuar vërtetësinë dhe suksesin e vet.
4.
Kur ne themi se ndryshimi si mision autentik është prova e vërtetësisë për secilin brez dhe më pas pohojmë faktin e njohur se kufijtë e kohëzgjatjes së një brezi luhaten rreth 20 – 25 vjet (megjithëse ka teza që e çojnë deri në 30 vjet), pra në përputhje me formulën që një shekull përbëhet nga katër breza, ekspozohemi përballë një mospërputhje dhe paqartësie të dukshme: jetëgjatësia mesatare njerëzve deri në mes të të 60- ave, do të thotë se një jetë njerëzore zgjat sa shtrirja e tre brezave. Përse llogaritja e përpjekjes për ndryshim si detyrim ekskluziv i një grupi njerëzish bëhet me vetën një të tretën e jetës së tyre?
Në fakt s’mund të jetë ndryshe, s’ka mundësi tjetër përveç që përpjekja më përfaqësuese për një brez vërsnikësh të okupojë një të tretën e fundit të jetës së tyre, pra nga të 40-at deri në mes të të të 60 -ave. Siç thotë Allahu në Kuran në Suren Ahkaf, ajeti 15:
” Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e bart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe kur mbërrin moshën e burrërisë dhe i mbush dyzet vjet, ai thotë: O Zoti im më frymëzo të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më dhuro pasardhës së mirë! Tek Ti kthehem i penduar dhe tek Ti Dorëzohem”
Ky ajet në mënyrë eksplicite e lidh rritjen dhe moshën e burrërisë me moshën 40 vjeçare, por në fakt edhe mundësinë për falënderim të posaçëm (sepse falënderimi është i përhershëm), por ky falënderim që paraprihet nga frymëzimi, nënkupton pikërisht një falënderim të një rendi tjetër, falënderim që vjen nga kapërcimi i ngurtësimit të zemrës nga zgjatja e kohës, siç parathuhet në ajetin 16 të Sures Hadidë. Dhe lutja për pasardhës të mirë , sugjeron se ky frymëzim falënderues mundëson punët e mira që u lenë trashëgim pasardhësve një botë ku ata do të kenë mundësi të jenë të mirë .
Nga ku (kombinimi i këtyre dy ajeteve)mund të nxjerrim edhe këto gjykime të tjera:
-Jo vetëm suksesi por edhe dështimi në raport me potencialin për të bërë më të mirën në një botë përherë në ndryshim, është i bashkëlidhur me rutinën e ngutësimit të zemrës nga kalimi i kohës,dhe përsa që kjo rutinë minimumi bëhet kërcënuese në rrjedhën e rreth 20 viteve, suksesi dhe dështimi i gjithësecilit për më të mirën kushtëzohet nga vërtetësia apo iluzioni i brezit ku ai bën pjesë.
– Mes brezave nuk mund të ketë dakordësi, sepse aspiratat e përbashkëta nuk e e garantojnë dakordësinë sepse kjo është një dakordësi e dhënë dhe e vetëkuptueshme, dakordësia e shtruar për zgjedhje ka të bëjë me kushtet, mënyrat, ritmin, improvizimin, të cilat të gjitha këto as nuk duhet të synohet të jenë të njëjta e të ketë dakordësi, por duhet të jenë autentike dhe fryt i kreativiteti dhe kuptimit të posaçëm fetar të secilit brez më vete.
– Çdo jetë njerëzore shtrihet sa kohështrirja e tre brezave por burrëria dhe potenciali i tij që të inkuadrojë në të njëjtën perspektivë një botë të re i përkasin vetëm një të tretës së fundit të jetës së tij. Në një të tretën e parë ai duhet të hedhë themelet e qenies së vet, në një të tretën e dytë (që korrespondon me një të tretën e tretë të etërve pra të brezit pararendës), duhet të fitojë vetëdijen e pastër të përgatitjes për lidership; të cilën e synon në një të tretën e fundit të jetës së tij, që korrespondon me daljen nga rrjedha e historisë së brezit pararendës.
– Në marrëdhëniet mes brezave, përparësinë e ka ai brez që ia ka dalë të identifikojë ndryshimin adekuat (përkatës) të kohës së vet dhe të transformojë botën e re në një botë garantuese për ruajtjen e aspiratave të brezave që kanë kaluar. Nga kjo premisë potencialisht rrjedhin këto katër mundësi:
Mundësia e parë: të dy brezat nuk ia kanë dalë kësaj dhe janë brenda asaj që e quajtëm vetëdije e rreme. Secili prej tyre është i sfiduar nga pyetja e Zotit në ajetin 16 të Sures Hadidë; kush nga brezat i përgjigjet i pari kësaj pyetje ia kalon zgjidhjen edhe brezit tjetër.
Mundësia e dytë: vetëm brezi pararendës është në të rreme; atëherë brezi pasardhës duhet të synojë në kushte ekstreme diçka të panjohur (sepse nuk është ofruar nga brezi paraprirës) dhe për ta bërë këtë duhet të llogaritë që brezi paraprirës jo vetëm që nuk do ta ndihmojë por edhe mund t’i bëhet pengesë.
Mundësia e tretë: brezi pararendës është i vetëdijshëm për përpjekjen transformuese dhe ruajtjen e zemrës nga rutina e kohës që kalon; duhet që këtë vetëdije autentike t’ia përcjellë brezit pasardhës me shembullin e vet të gjallë: jo më kot një e treta për lidership imediat e brezit pararendës, korrespondon me një të tretën për kultivim të ambicjes dhe vërtetësisë për ndryshim në një të tretën e dytë të brezit pasardhës
Mundësia e katërt: të dy brezat janë në kohë reale njësoj të vetëdijshëm për barrën transformuese që bie mbi to nga fakti që ndryshimi është ligjësi dhe jo opsion: në këtë rast komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njëri tjetrin në nivelin më të lartë të mundshëm, i cili sa më afër perfeksionit të jetë, paradoksalisht do t’u bëjë edhe më të qartë konstatimin, që si breza janë të dënuar që t’a mbërrijnë secili më vete suksesin transformues të botës.
Rudian Zekthi