Edhe njëherë për reciprocitetin
1.
Ja një nivel vetëdije që muslimanët nuk duhet kurrsesi ta konsiderojnë si opsional: Kurani është Fjala e Zotit, pra ka natyrë hyjnore edhe në Përmbajtjen e Vet, pra në rrafshin e kuptimeve që jep, edhe në Formën e Vet, pra të mënyrës sesi i formulon dhe distribuon këto kuptime. Njohja sa më shumë e sa më mirë e Përmbajtjes ndihmon të rrokim kuptimin e gjërave, kurse njohja sa më shumë e sa më mirë e Formës ndihmon ekskluzivisht dhe drejtpërdrejt në Njohjen e Zotit. Pra në të dy rrafshet, edhe në rrafshin e Përmbajtjes, edhe në rrafshin e Formës, ka mundësi për besimtarët të rritin Njohjen për Zotin, por në rrafshin e Përmbajtjes kjo njohje bëhet përmes njohjes së Krijimit dhe Krijesave, kurse në rrafshin e Formës, bëhet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me Hyjnoren – Të Pakrijuarën – Fjalën e Allahut.
Të jemi të qartë e të vetëdijshëm për këtë, apo të mos jemi të qartë e të vetëdijshëm, nuk është thjesht një mangësi, por një fatkeqësi: mjafton që kjo fatkeqësi të ketë ndodhur, për të shpjeguar dobësimin e të menduarit të muslimanëve, pakësimin apo zbehjen e njohurisë së tyre dhe rënien e peshës së muslimanëve në rendin botëror të historisë. Sepse përqendrimi vetëm tek Përmbajtja në rendin metodologjik shkakton potencialisht disa pasoja: linearitetin, pra premisën se njohja e plotë mbërrihet përmes shtimit të kontrolluar dhe ndoshta edhe të kontrolluar, të asaj që nuk njihet mbi atë që tashmë është e njohur; premisën se nuk është e domosdoshme që njohja e re të rikonfigurojë atë që tashmë është e njohur; premisën se ai që kryen njohjen është i pandryshueshëm teksa ndërkohë njohuria ndryshon.
Këto pasoja metodologjike mund të shfaqen herët a vonë, apo mund të mbahen në kontroll a përkundrazi të shumëfishohen jashtë çdo kontrolli, kjo mbetet për t’u përcaktuar rast pas rasti, por e rëndësishme është të dimë që këto gjithsesi janë të pashmangshme. Dhe nëse është kështu ne mund ta paramendojmë se çfarë dëmesh mund të shkaktojnë këto, kur përmes njohjes së gjërave (që është ajo që ofron rrafshi i përmbajtjes) ne vetëkuptueshëm synojmë të shkojmë tek Zoti dhe të rritim Njohjen për Të: do ta troshitim Njohjen për Zotin me këto filtra të ngushtë metodologjikë (shprehimisht: Njohja për Zotin rritet në mënyrë lineare dhe të programuar. Njohja për Zotin nuk mund të jetë e rritshme sepse tashmë ç’mund të njihej është njohur dhe ç’njihet rishtazi është e dyshimtë, si ambicje e panevojshme dhe risi (bidat). Ai që e njeh Zotin më shumë, thjesht bëhet më i mirë a i devotshëm, por nuk bëhet ai vetë me mënyrën sesi ndryshoi, synim i kësaj njohjeje).
Është e vërtetë se dëmi i këtyre filtrave metodologjikë nuk është në formulën e të vërtetës, pra e vërteta si e tillë në vetvete mbetet e pastër dhe e shërbyer, përfshirja në një njohje si kjo të ndih të jesh i qartë për kufijtë në rendin e gjërave dhe hierarkinë e vlerave, por kjo qartësi është e vizitueshme për sa kohë që rendi i gjërave është statik (a thua se mundet me të vërtetë të jetë i tillë) dhe hierarkia e vlerave është e paatakueshme (a thua se me të vërtetë mund të jetë e tillë). Përsa s’munden, njohja e formulës së gjërave përmes mesazheve në rrafshin e përmbajtjes është e pamjaftueshme, qartësia e saj rrezikon të jetë paralele me realitetin që ndryshon dhe për pasojë ndihma të jetë e mangët.
Pra dëmi nuk është në gërmë, por në frymë (pra dëmi nëse besojmë se mjafton sidoqëtëjetë njohja në rrafshin e përmbajtjes edhe për pa u përmbushur njohja në rrafshin e formës). Sepse që këto dëme të mos ndodhin, duhet përqendrim po aq i madh dhe i posaçëm edhe në Njohjen e Formës së Fjalës së Allahut, E Cila gëzon përparësinë tjetërlloj të pambërritshme, që të na flasë drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht për Zotin si Krijuesin e Vetëm Absolut. Me këtë nuk duam të themi se Njohja e Zotit nuk ka lidhje me njohjen e gjërave dhe dukurive, aq më pak nuk duam të themi se Kjo Njohje duhet të realizohet në një rend asketik, të veçimit dhe abstenimit nga bota dhe njerëzit dhe gjërat. Tjetërgjë aspirojmë: të ngjallim vetëdijen se neglizhimi i Njohjes së Formës së Fjalës së Allahut, pra të mënyrës sesi kjo Fjalë Shfaqet për Krijesat, i aktivizon dëmet potenciale të Njohjes vetëm të Përmbajtjes; sikurse dhe të anasjellën (e aspirojmë këtu), pra se angazhimi i pakushtëzuar ndaj Njohjes së Formës së Fjalës së Allahut është ajo që i jep frymë germës, ndryshethënë e bën frymëzuese dhe triumfuese të vërtetën.
Sepse aspirata për ta njohur Fjalën e Zotit në Formën e Saj, na shpërblen me filtra metodologjikë ripërtëritës (që neutralizojnë apo bëjnë pasivë dëmet e një njohje preokupuar vetëm tek përmbajtja). Kemi parasysh premisat që shkakton Njohja e Formës së Fjalës së Allahut: që Njohja e Zotit rritet përmes serisë së hopeve (për fatlumët pra, përmes hapjeve të vazhdueshme të zemrës) dhe jo medoemos përmes shtimit dhe akumulimit të dijes për çështjet – çështje; që çdo hop i tillë hedh një dritë të re mbi njohjen e deriatyshme (joduke i korrigjuar por duke i dhënë shkëlqim); që çdo hop i tillë është një fillim për një rend të ri të gjërave, përmes një rendi të ri synimesh dhe aspiratash.
2.
Herën që shkoi ne përmendëm ajetin 16 të sures Kaf “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë se ç’i pëshpërit atij shpirti i vet…..”. Dhe thamë se ky ajet dëshmon sesi e folura e njeriut me veten, jo vetëm është shprehje e mospërputhjes tek njeriu mes vetes dhe shpirtit, apo mes çfarë bën dhe asaj që do të donte të bënte, çfarë është dhe asaj që do të donte të ishte, por edhe e faktit se Zoti është aty (në njëfarë mënyre I treti), në konfidencën mes njeriut dhe shpirtit të tij, si Vëzhguesi Absolut apo Dëgjuesi i Përsosur.
Sigurisht që këtu na thuhet se vetja flet me shpirtin e vet (apo në një ligjërim laik: me ndërgjegjen e vet), por mbi të gjitha na thuhet se Zoti është aty kur kjo bisedë (pëshpëritje) ndodh, që do të thotë se nuk bëhet fjalë për një bisedë mes dy palësh, por mes tri palësh (në njëfarë mënyre kjo konfirmon që ajeti 7 i Sures Muxhadele është i vërtetë jo vetëm për komunikim e jashtëm por edhe për komunikimin e brendshëm). Dhe prania e shpirtit apo ndërgjegjes si pala ideale me të cilën këshillohet vetja si pala në telash, në fakt është e prejardhur nga prania primordiale e Zotit si Pala Absolute, Sepse, skema mund të funksionojë të shpjegohet me dy palë sa kohë që vetja i pëshpërit shpirtit dhe pastrimi ndodh dhe i bindet sugjerimit pëshpëritës.
Mirëpo në rastet kur megjithëse shpirti ia pëshpërit këshillën e duhur por vetja nuk bindet, (nuk pastrohet pra) apo kur shpirti as nuk i jep më këshillat e duhura por i thotë vetes atë që ajo do, kemi të bëjmë me korruptim të shpirtit nga vetja; dhe nëse njeriu pas këtij korruptimi ia del të pastrohet, kjo vjen sepse ajo që quajmë brejtje e ndërgjegjes apo e shpirtit, nuk mund të ndodhte vetëm se nga pastrimi i shpirtit prej rigjetjes brenda vetes së Zotit si Dëgjuesi Ideal.
Fakti që Zoti e di gjithë çfarë çdo njeriu ligjëron – thotë, brenda dhe jashtë vetes, është pra një fakt elementar i vetëkuptueshëm. S’ka në fakt sesi të jetë ndryshe, kjo epërsi absolute e Zotit është shprehje e Të Qenit të Tij I Vetmi Krijues: Zoti i njeh të gjitha fjalët që thonë të gjitha krijesat e Tij.
Mirëpo këtë avantazh Të Vetin Allahu e përcjell tek krijesat e tij përmes një procedure reciprociteti madhështore: Allahu, Pas Perdes, Përmes Frymëzimit apo Përmes Xhibrilit a.s. në një moment të historisë së njerëzimit, Zbriti tek Muhamedi a.s. Të gjitha Fjalët e Tij Të Mundshme për T’u njohur nga Krijesat e Tij. Allahu në Vetë Kuranin Dëshmon se Fjalët e Tij nuk Mbarojnë, pra Tërësia e Tyre Është E Parrokshme nga Krijesat (mjafton të kujtojmë vetëm ajetin 109 të Sures Kehf), por nga ana tjetër po Vetë Kurani Dëshmon se Kurani është e Gjithë Fjala e Zotit që ne Mund të Njohim, E gjithë Fjala e Tij e mundshme të Njihet Ndonjëherë nga ndonjë qenie njerëzore deri Ditën e Gjykimit. Për të shmangur çdo keqkuptim: E Gjitha, përsa i përket Fjalës së Zotit në raport me njohjen e mundshme të krijesave, do të thotë E gjitha Konvencionalisht, ajo që është e mundshme , pra e mundshmja ka ndodhur, është përmbushur, është përmbyllur, dhe njerëzit tani kanë obligimin ta njohin atë si një të tërë, sepse tashmë Ajo Ka Një Formë Përfundimtare që lejon të identifikohet e plotë.
3.
Kështu Zoti me Madhërinë e Tij dhe Fisnikërinë e Tij, ka dashur t’na japë neve si krijesa të njëjtin akses në Fjalët e Tij siç Ai ka tek fjalët tona. E gjitha e jona do të thotë se ne nuk mund t’i fshehim atij asgjë edhe sikur të duam, kurse e Gjitha e Fjalës së Allahut për ne do të thotë se Ai na ka Zbuluar ne Të Gjithën prej Fjalës së Tij në Dunja.
Siç e përmendëm edhe njëherë, kjo do të thotë se Forma e Përsosur e Fjalës së Tij edhe më shumë se Përmbajtja na e përkujton këtë të vërtetë, pra që gjithë çfarë mund të dimë për Krijuesin që në Dunja tashmë është e Njohur, nuk mund të ketë më asnjë shtesë mbi Të (siç garanton Allahu në ajetin 3 të sures Maide) dhe nuk mund të ketë asnjë justifikim nëse nuk bartim vetëdijen për këtë Formë që është e Vetmja e Plotë pa asnjë interferencë, ndërsa Përmbajtja jo, pasiqë Zoti nuk ka folur për gjithëçka që mund të përfshihet në Historinë e Njerëzve dhe Përvojën e Njeriut ( pra ndërsa përmbajta e gjërave mund të jetë e hapur ose e pëmbyllur, apo e përfunduar apo e papërfunduar, forma e gjërave është gjithmonë përfundimtare, ndryshethënë forma përfundimtare është provë e ekzistencës së një gjëje në plotësinë e saj).
Ajo që mund të sugjerojmë menjëherë nuk është shumë dhe mbetet në rendin e një hipoteze (siç do ta paraqesim fill) por e rëndësishme është të kuptojmë pasojat e pallogaritshme të kësaj vetëdije për këtë reciprocitet bazik, përmes të cilit Krijuesi avantazhin prej të cilit nuk mund ta privojë Veten e ka kompensuar në marrëdhënien tonë me Të, duke na e përcjellë edhe ne (sigurisht në rend konvencional).:
Reciprocitet që vetëm ai na zbulon një dallim tjetër përndryshe të pahetueshëm dot prej nesh: E gjitha e thëna e njeriut, pra çfarë thotë brenda dhe jashtë vetes, shërben edhe si vendi i shpërfaqjes së rregullave, pra të gramatikës që rregullon këtë të folur, gramatikë e njëjtë që përdoret më pas edhe nga literatura, pra nga librat që shkruhen në atë gjuhë.Thjesht po vëmë në dukje një fakt të njohur universalisht, pra që si rregull një gjuhë ekziston paraprakisht e folur dhe në të folurën e saj stabilizohen format e organizimit të fjalëve në fjali sipas gramatikës përkatëse; dhe vetëm në një moment të dytë si një moment historik në fakt, pra si fazë e detyruar të jetë e mëvonshme, shfaqen librat e shkruar në këtë gjuhë.
Çfarë do të thotë e gjithë kjo në raport me Kuranin?
Kurani është një Libër në arabisht dhe me të vërtetë kur Ai zbriti tek arabët, lexuesit e parë të Kuranit ndërkohë për shekuj ishin folës së arabishtes me gramatikën përkatëse, pra njihej më parë mënyra sesi flitnin arabët dhe më pas Zbriti Libri në këtë gjuhë.Duket se është i njëjti protokoll si në rastin e çdo të folure dhe çdo literature, por mos harrojmë se Kurani është Libër i Allahut dhe Fjala e Allahut (siç thamë me dëshmi të vetë Kuranit, është më shumë se vetëm Kurani), që do të thotë se në rastin e Kuranit jemi përtej këtij protokolli, pasi ne nuk e njohim Të Folurën e Allahut para se të njohim Librin e Tij, por njohim Të Folurën e Tij Drejtpërdrejt në Një Libër. Kjo do të thotë se Kodi me të cilin organizohen Fjalët e Allahut në Libër është Brenda Vetë Librit. E thënë ndryshe, Kurani
Është një E Folur në Libër, apo një Libër i lexuar me zë apo një Libër që flet.
Kjo prejardhje kronologjike e Librit ( të shkruarës) pas Të folurit, ndër të tjera shndërron në normë që ajo që thuhet e shkruar në një libër, të ballafaqohet e të homologohet me tërë të thënën (dhe të shkruarën) deri në atë moment në atë gjuhë.Gjë që sjell si pasojë refleksin apo shprehinë e pranisë së një Kodi, pra një tërësie kombinimesh dhe asosacionesh në relacionet mes tërë teksteve mes tyre.
Fakti që njerëzit njihnin të folurën e arabishtes para Kuranit do të thotë se ata njihnin llojet e organizimit të fjalëve në fjali dhe llojin e fjalive të arabishtes dhe sipas dëshmive të bashkëkohësve Kurani e shpërndërroi këtë sintaksë duke zbritur si një strukturë tërësore fjalish të reja të arabishtes. Por këtë potencialisht mundet ta bëjë edhe ndonjë libër tjetër, por ajo që po e veçojmë si mrekulli të posaçme të Ligjërimit Kuranor ka të bëjë me faktin se ndërkohë që gramatikën e Tij mund ta homologojmë me gramatikën e arabishtes,porse Kodin e Tij mund ta homologojmë me tërë të folurën e deriatëhershme të arabëve, por kjo nuk mjafton sepse do të duhet ta homologojmë edhe me Tërë Të Folurën e Zotit para Kuranit, Të Cilën ne nuk e njohim, është pra gajb, e për pasojë nuk mundemi dot që Librin e Zotit ta referojmë tek E folura e Zotit Para Librit. Nuk mundemi pra të kryejmë operacionin e homologimit të asaj që thuhet në Kuran me Tërë të Thënën e Zotit, ndërkohë që për një libër të shkruar nga një njeri është gjithmonë e mundshme të homologohet me tërë të folurën e njerëzve.
Kështuqë s’mbetet tjetër veçse në mënyrë të natyrshme Kodin që organizon Ligjërimin Kuranor, pra ligjësitë që shoqërizojnë tekstet me njëri – tjetrin, ta kërkojmë brenda vetë Kuranit, si për asnjë libër tjetër (mos harrojmë që kjo karakteristikë unike e Kuranit përftohet nga fakti që Ai jo vetëm si Përmbajtje, por edhe si Formë, është Drejtpërdrejt prej Zotit).
4.
Pas arritjes në këtë përfundim, pashmangshmërisht mbështetemi tek fakti se Kurani është një tekst i madh i përftuar nga mijëra tekste të vogla, pra rreth 6000 versetet që e përbëjnë Atë dhe që përfaqësojnë një lloj teksti të ri të panjohur nga arabishtja e deriatëhershme (dhe e pasatëhershme) ( e për pasojë të papërpunueshme nga kodi i deriatëhershëm i arabishtes) dhe po ashtu nga qindra grupversetesh apo çerdhesh tematike dhe dhjetra Suresh, që po ashtu ishin një lloj teksi i panjohur për arabishten dhe kodin e saj.
Kështuqë pikasja e hartës së relacioneve midis gjithë këtyre njësive tekstore, të papërpunueshme dot nga kodi i arabishtes, mund të bëhet vetëm nga brendapërbrenda Kuranit si Tekst i Madh, gjë që korrespondon edhe me faktin që në metodologjinë e Tefsirit, procedura e parë komentuese e Fjalës së Allahut, është komentimi i Kuranit me Kuran.Që në thelb nuk është gjë tjetër vetëm se përvijimi i kësaj harte relacionesh, apo e Këtij Kodi Unik.
Gjë që na rikujton çfarë tashmë e kemi vënë në dukje tek “Leximi me Zë”, pra Kurani nuk oraganizohet në mënyrë tematike apo induktive – kronologjike, siç bëjnë tekstet narrative apo tekstet diturore, por në trajtë çështjesh qarkulluese që nuk ndjekin njëra – tjetrën por në njëfarë mënyre ngjeshin njëra – tjetrën brenda një masivi që kufizohet veç me veten.
Sepse organizimi tematik, kaq i njohur dhe ekskluziv për librat e njerëzve, praktikisht nuk ka Kod të brendshëm (përveç asosacioneve spontane, apo përveç një kodi të huazuar), sepse nuk mund të ketë, s’ka ç’e do; kurse një Libër si Kurani, i përbërë nga tri tipe tekstesh, secili i panjohur më parë brenda tërësisë së të folurit të asaj gjuhe, pra i përbërë praktikisht nga mijëra minitekste dhe së paku tre nivel kontakti mes tyre, plus një metaniveli që është linja e esbabeve, s’mund të kuptohet në plotësinë e tij vetëm përmes kodit të arabishtes, por medoemos përmes Kodit Brenda Tij.
Prandaj Allahu në Kuran thotë: “Allahu ka shpallur Fjalën më të Bukur, në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëri – tjetrit dhe përsëriten (…)” Surja Zumer, ajeti 23.
Që do të thotë se çdo lexim Kurani, në thelb është identifikimi i kuptimeve të formuluara, edhe identifikim i Kodit të Brendshëm, pra i Formës së Tij të Organizimit. Njohja dhe përvijimi i këtij Kodi është domosdoshmëri dhe jo opsion, detyrim dhe jo një mangësi e kompensueshme.
Rudian Zekthi